“I pandehuri e merr sëpatën dhe hynë në dhomën ku ishte viktima”: Çka zbulon dosja e Prokurorisë për Arlinda Zekajn?

“I pandehuri e merr sëpatën dhe hynë në dhomën ku ishte viktima”: Çka zbulon dosja e Prokurorisë për Arlinda Zekajn?

Arlinda Zekaj ishte kthyer nga Stacioni Policor në Pejë, ku kishte raportuar dhunën e bashkëshortit, kur u sulmua për vdekje nga kunati i saj.

Motivi i dyshuar ishte hakmarrja për ndalimin policor të bashkëshortit të viktimës, Jeton Sylaj.

Këto janë hollësitë e vrasjes së 25 tetorit që zbulohen në kërkesën shtatëfaqëshe të Prokurorisë Themelore në Pejë për paraburgimin e Albert Sylajt, të datës 28 tetor 2026.

Dosja përmban përshkrimin e ngjarjes, provat e mbledhura dhe argumentet për mbajtjen e të dyshuarit në paraburgim.

Sipas Prokurorisë, vrasja ndodhi rreth orës 21:28, në rrugën “Man Dedushaj”, në Vitomericë të Pejës.

Viktima ishte kthyer në shtëpi nga policia, ku kishte raportuar dhunën e bashkëshortit. Dokumenti përmend edhe shkeljen e një urdhri mbrojtjeje.

Prokuroria pretendon se Albert Sylaj e sulmoi viktimën me sëpatë, ndërsa ajo po përpiqej të fshihej pas derës së dhomës së gjumit.

“i pandehuri e merr sëpatën dhe hynë në dhomën ku ishte viktima e cila mundohet të fshehët pas derës dhe fillon ta godas në pjesë të ndryshme të trupit e kryesisht në kokë”, thuhet në kërkesë.

Prokuroria e lidh drejtpërdrejt motivin e dyshuar të vrasjes me ndalimin policor të Jeton Sylajt.

Sipas saj, Albert Sylaj kishte vepruar “në shenjë hakmarrje për ndalimin e vëllait të tij Jetonit nga ana e policisë”.

Vrasja në prani të fëmijëve

Një nga hollësitë më tronditëse të dokumentit lidhet me praninë e fëmijëve në vendin e ngjarjes.

Sipas Prokuorisë, vrasja është kryer “para syve e prezencës së fëmijëve të tij dhe djalit të viktimës si dhe nënës së tij”.

Megjithatë, deri në paraqitjen e kërkesës, më 28 tetor, as Prokuroria, as hetuesit ende nuk kishin arritur t’i merrnin në pyetje këta dëshmitarë okularë.

Në mesin e tyre përmenden vajza dhe djali i të dyshuarit, djali i viktimës dhe nëna e Albert Sylajt.

Pa u marrë në pyetje përmendeshin edhe bashkëshortja e të dyshuarit, vëllai i tij Dritoni, familjarë dhe të afërm të viktimës, si dhe pjesëtarë policorë që kishin trajtuar rastet e ndërlidhura.

Kjo është një nga arsyet pse Prokuroria vlerëson se lirimi i Sylajt mund të rrezikonte hetimet përmes ndikimit te dëshmitarët.

Katër dënime të mëparshme dhe një pistoletë ende e pasiguruar

Dokumenti zbulon gjithashtu se Albert Sylaj kishte qenë i dënuar katër herë me aktgjykime të formës së prerë.

Kjo mbështetet në ekstraktin e dënimeve penale të datës 28 tetor 2026, të cilit i referohet Prokuroria.

Ajo e cilëson të dyshuarin përsëritës të veprave penale kundër jetës dhe trupit, duke argumentuar se ekziston rreziku i përsëritjes së veprës.

Një tjetër hollësi lidhet me një armë që ende nuk ishte siguruar nga hetuesit.

“Po ashtu, i pandehuri ka pranuar se posedon një armë Pistoletë A8 – pa leje të Organeve kompetente, e cila armë ende nuk është siguruar dhe ekziston rreziku i fshehjes së kësaj prove, nëse i njëjti lihet në liri por edhe nën ndonjë masë tjetër alternative.”

Arratia dhe kërkesa për paraburgim

Pas vrasjes, sipas Prokurorisë, Albert Sylaj u largua me veturë dhe qëndroi në arrati deri më 27 tetor, kur u arrestua.

Gjatë kësaj periudhe, Prokuroria autorizoi publikimin e fotografisë së tij, shpalljen në kërkim policor dhe kërkimin e të dhënave telefonike nga IPKO dhe Vala.

Më 27 tetor u kërkua urdhërarresti dhe miratimi gjyqësor prapaveprues i kontrolleve, bastisjeve dhe sekuestrimeve të përkohshme të provave. Aktvendimi i Prokurorisë për ndalimin policor mban datën 27 tetor dhe orën 23:40.

Prokuroria argumenton se rreziku i arratisjes, ndikimit te dëshmitarët, fshehjes së provave dhe përsëritjes së veprës nuk mund të shmanget me masa më të buta.


Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.