Nga shfuqizimi i Ligjit për Specialen te shkarkimi i Gërvallës – katër kërkesat e protestuesve

Protesta e organizuar sot në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, lidhur me aktgjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, është përmbyllur me paraqitjen e katër kërkesave drejtuar institucioneve të Kosovës.
Kërkesa e parë e organizatorëve është shfuqizimi ose ndryshimi i Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
Kërkesa e dytë është shkarkimi i ministres së Drejtësisë, Donika Gërvalla. Gjatë protestës, drejtuesi i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati, kërkoi publikisht nga kryeministri Albin Kurti që Gërvalla të largohet nga Qeveria.
Protestuesit kanë kërkuar gjithashtu mbështetje dhe fonde të mjaftueshme për mbrojtjen e ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, përfshirë edhe në fazat e mëtejshme të procesit gjyqësor.
Kërkesa e katërt është angazhimi i ekspertëve ndërkombëtarë për të ofruar mbështetje juridike për ekipet mbrojtëse të ish-krerëve të UÇK-së.
Protesta është zhvilluar pas aktgjykimit të 16 shtatorit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit. Sipas raportimeve të sotme, katër të dënuarit kanë paralajmëruar ankimimin e vendimit në shkallën e apelit./INA/
Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



