Pas shkëlqimit në Zvicër, Frokaj shpreson për ftesën e Fodës

Pas shkëlqimit në Zvicër, Frokaj shpreson për ftesën e Fodës

Leon Frokaj po vazhdon ngritjen e tij në futbollin zviceran, ndërsa synimi i radhës është të marrë ftesën e parë për Kombëtaren A të Kosovës, transmeton albinfo.ch.

21-vjeçari, i cili nga qershori është pjesë e St. Gallenit, ka pasur një nisje të mirë me klubin elitar zviceran dhe shpreson që paraqitjet e tij ta bindin përzgjedhësin e Kosovës, Franco Foda, ta përfshijë në listën e muajit shtator.

 

 

Rrugët e Frokajt dhe Leon Avdullahut, me të cilin ka qenë bashkëlojtar te Baseli, u ndanë vitin e kaluar. Avdullahu u transferua te Hoffenheimi, ndërsa Frokaj iu bashkua Aaraut. Tashmë, Avdullahu vazhdon karrierën në Bundesligën gjermane, ndërsa Frokaj është pjesë e St. Gallenit.

Frokaj kujton me shumë emocione periudhën kur jetonte bashkë me Avdullahun.

“Kur mbusha 18 vjet, kam banuar së bashku me Leon Avdullahun në banesë, derisa ai u transferua te Hoffenheimi. Ka qenë periudhë e mirë. Edhe me Albian Hajdarin kam luajtur, por ai u largua nga Baseli në drejtim të Luganos. Leonin e kam shok të mirë”, ka thënë Frokaj.

Synimi: Kosova A

Frokaj aktualisht është pjesë e Kosovës U21, për të cilën ka shënuar katër gola në 13 paraqitje.

Para se të zgjidhte Kosovën, ai kishte luajtur për grupmoshat U17 dhe U18 të Zvicrës. Megjithatë, dëshira e tij është e qartë – të veshë fanellën e Kombëtares A të Kosovës.

“Shpresoj të jemi sërish bashkë me Leonin. Kam dëshirë, pasi secili prej nesh që luan për Kosovën, ose shtet tjetër, ka dëshirë të paraqitet për shtetin e vet. Ndihesh krenar dhe i lumtur për të përfaqësuar shtetin tënd, shtetin ku kanë lindur prindërit tuaj. Kështu që pres dhe shpresoj të marr ftesë”, është shprehur ai.

“Sigurisht që dëshira ime është të luaj për Kosovën. Besoj dhe shpresoj të luaj për Kosovën”, ka shtuar Frokaj.

U largua nga familja në moshën 14-vjeçare

Frokaj ka treguar edhe për rrugëtimin e tij në futboll, i cili nisi në Zvicër, ku edhe ka lindur e është rritur.

Ai fillimisht ishte pjesë e akademisë së Luzernit, para se të transferohej te Baseli, ku qëndroi nga U15 deri në U21 dhe në disa raste u stërvit edhe me ekipin e parë.

“Kam qenë i ftuar nga Luzerni, ku kanë qenë rreth 100 fëmijë. Njëri prej dy lojtarëve të përzgjedhur kam qenë edhe unë. Kam qenë deri në grupmoshën U15 te Luzerni, pastaj kalova te Baseli”, ka treguar ai.

Kalimi te Baseli nënkuptoi edhe largimin nga familja në një moshë shumë të re.

“Në Basel kam banuar vetë, larg familjes. Ka qenë periudhë e vështirë në fillim. I kam pasur vetëm 14 vjet kur kam dalë nga shtëpia. Por më ka ndihmuar shumë, sepse më ka bërë me karakter më të fortë, vetëbesim dhe kam përfituar shumë”, ka thënë Frokaj.

Ai pranon se fillimi nuk ishte aspak i lehtë.

“Në fillim jam frikësuar shumë, sepse kam një lidhje të fortë me familjen time. Ka qenë e vështirë dhe kam qarë në fillim. Por kisha një synim. E dija se kam ardhur me një qëllim, e që ishte futbolli. Nuk ka pasur kthim prapa. E kam bindur veten për të vazhduar”, ka rrëfyer ai për koha.

Ëndërron Spanjën dhe Real Madridin

Frokaj është i kënaqur me hapin e radhës në karrierë te St. Galleni, ndërsa vendimin për transferim thotë se e mori së bashku me familjen dhe menaxherin e tij.

Mesfushori ofensiv ka ambicie të mëdha për të ardhmen dhe nuk e fsheh dëshirën për të luajtur një ditë në Spanjë.

“Planet e mia janë të mëdha. Secili lojtar ka dëshirë të arrijë sa më lart. Jam lojtar që luaj si mesfushor ofensiv, kam dëshirë ta kem topin në këmbë dhe Spanja besoj se do të ishte e përshtatshme për mua. Kam dëshirë të luaj në Spanjë. Reali më pëlqen më shumë. Por nuk do ta refuzoja edhe Barcelonën”, ka deklaruar Frokaj.

Shënoi në Ligën e Konferencës

Frokaj po e dëshmon formën e mirë edhe në garat evropiane.

St. Galleni do të përballet të enjten mbrëma me Sheriff Tiraspolin, në ndeshjen e kthimit të raundit të tretë kualifikues të Ligës së Konferencës.

Skuadra zvicerane e fitoi ndeshjen e parë 3:1, ndërsa Frokaj ishte njëri prej golashënuesve.

Ai synon ta ndihmojë St. Gallenin të sigurojë kalimin në plejof dhe më pas të arrijë edhe në fazën e ligës së Ligës së Konferencës.

Frokaj ka luajtur në tri ndeshjet e para të Superligës së Zvicrës me St. Gallenin, me të cilin ka kontratë deri në vitin 2030.

Tashmë, ai pret edhe një hap tjetër të rëndësishëm në karrierë: ftesën e shumëdëshiruar për të përfaqësuar Kosovën A./Albinfo.ch

The post Pas shkëlqimit në Zvicër, Frokaj shpreson për ftesën e Fodës appeared first on Albinfo.


Burimi i lajmit: albinfo.ch
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.