250 shqiptarë e kosovarë të dënuar me dëbim nga Zvicra: çfarë duhet të dini?

Gjatë vitit 2025, gjykatat zvicerane shqiptuan dëbimin (Landesverweisung / expulsion pénale) ndaj 250 personave me shtetësi shqiptare dhe kosovare, sipas statistikave zyrtare të publikuara nga Albinfo.ch????????: 200 shtetas të Shqipërisë dhe 50 të Kosovës. Pas këtyre shifrave ka disa rregulla juridike që ia vlen t’i njohim.
Çfarë është dëbimi penal?
Që nga tetori 2016, pas miratimit të iniciativës popullore për dëbimin e të huajve që kanë kryer vepra të rënda, dëbimi është pjesë e Kodit Penal zviceran. Atë e shqipton gjykata penale bashkë me dënimin. Pra, nuk vendosin autoritetet e migracionit, por gjyqtari, në të njëjtin aktgjykim.
Dëbimi i detyrueshëm (neni 66a KP)
Për disa vepra të rënda, si vrasja, grabitja, trafiku i drogës, vjedhja me thyerje, si edhe keqpërdorimi me ndihmën sociale ose me sigurimet shoqërore, gjykata nuk ka zgjedhje: duhet ta shqiptojë dëbimin për një periudhë prej 5 deri në 15 vjetësh. Për personat që përsërisin shkelje të kësaj natyre, kjo periudhë mund të arrijë 20 vjet ose të jetë e përjetshme.
Vetëm në raste të jashtëzakonshme gjykata mund të mos e shqiptojë dëbimin. Kjo ndodh kur dëbimi do ta vinte personin në një gjendje personale shumë të rëndë dhe kur interesi i tij për të qëndruar në Zvicër është më i lartë se interesi publik.
Gjykata merr parasysh sidomos sa kohë ka jetuar personi në Zvicër, familjen dhe fëmijët e tij, si dhe sa i integruar është.
Ekziston edhe rregulla e dëbimit jo i detyrueshëm (neni 66a bis KP). Pra, për veprat e tjera, dëbimi është i mundshëm, por jo i detyrueshëm.
Kush preket më shumë?
Shumica e personave të përfshirë, veçanërisht shtetasit e Shqipërisë, nuk kanë leje qëndrimi B ose C në Zvicër.
Megjithatë, as leja C nuk të mbron automatikisht nga dëbimi. Edhe persona që jetojnë prej dekadash këtu mund të dëbohen. Prandaj, në çdo procedurë penale, situata personale dhe familjare e të akuzuarit duhet paraqitur që në fillim, me argumente të qarta dhe të dokumentuara. Shpesh, pikërisht kjo përcakton nëse personi mbetet në Zvicër apo duhet të largohet.
Analizë: Lirim Begzati
The post 250 shqiptarë e kosovarë të dënuar me dëbim nga Zvicra: çfarë duhet të dini? appeared first on Albinfo.
Burimi i lajmit: albinfo.ch
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



