Alta Banka nis pagesat në para të gatshme për klientët pa kartela, kufiri është 20 mijë denarë

Alta Banka nis pagesat në para të gatshme për klientët pa kartela, kufiri është 20 mijë denarë

Ka nisur pagesa e mjeteve në para të gatshme për klientët e Alta Bankës në Manastir, të cilët nuk posedojnë kartela bankare.

Kryesisht pensionistët dhe përfituesit e ndihmës sociale mund të tërheqin deri në 20.000 denarë brenda dy javësh, në sportelet e posaçme të degës së bankës. Pagesat do të bëhen sipas orarit të caktuar, ndërsa klientët do të njoftohen përmes SMS-it.

Nga Banka Popullore bëjnë të ditur se pensionet dhe pagat vazhdojnë të derdhen në llogaritë e klientëve, ndërsa mjetet nuk janë të ngrira.

Për klientët e tjerë fizikë vazhdon të vlejë kufizimi prej 10.000 denarësh në javë për tërheqje të parave dhe pagesa te tregtarët me kartelat e lëshuara nga banka. Transaksionet brenda bankës mbeten pa kufizim.

Kufizimet janë vendosur pas marrjes së bankës nën administrim nga tre administratorë të emëruar nga Banka Popullore, për një periudhë deri në tre muaj, për shkak të rrethanave që mund të rrezikojnë seriozisht aftësinë paguese të saj.

Administratorët kanë afat prej 21 ditësh për të shqyrtuar gjendjen financiare të bankës dhe për të dorëzuar raport në Bankën Popullore.

Ndërkohë, Banka Popullore po shqyrton edhe zgjidhjet për kompanitë që duhet të paguajnë pagat e punonjësve dhe detyrimet tatimore deri më 15 nëntor.

Përcjell INA


Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.