Shqiptari nga Kosova emërohet zv.drejtor për video në Associated Press në SHBA

Nebi Qena merr rol udhëheqës në Associated Press The post Shqiptari nga Kosova emërohet zv.drejtor për video në Associated Press në SHBA appeared first on Albinfo.

Shqiptari nga Kosova emërohet zv.drejtor për video në Associated Press në SHBA

Bëhet e ditur se gazetari i njohur nga Kosova, Nebi Qena, është emëruar zëvendësdrejtor për video në agjencinë prestigjioze ndërkombëtare të lajmeve Associated Press (AP), me seli në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përcjell albinfo.ch.

Kjo u bë e ditur përmes një njoftimi zyrtar të Drejtorit të lajmeve për SHBA, Josh Hoffner, i cili në një letër dërguar stafit ka vlerësuar lart punën dhe përkushtimin e Qenës ndër vite.

“Ai ka shkëlqyer në çdo rol që ka mbajtur — shumë prej tyre në kushte jashtëzakonisht sfiduese,” shkruan Hoffner, duke përmendur kontributin e Qenës si producent i lartë për Izraelin, Gazën dhe Bregun Perëndimor, menaxher i fundjavës për SHBA-në, korrespondent dhe producent në Kosovë, si dhe angazhimet e tij në Ukrainë gjatë konfliktit të vitit 2014 dhe së fundmi në luftën aktuale.

Sipas Hoffner, së fundmi Qena ka shërbyer si zëvendës i përkohshëm në SHBA, ku ka udhëhequr mbulimin e disa prej ngjarjeve më të rëndësishme, si zjarret në Los Anxhelos dhe sulmet terroriste në New Orleans, duke pasur një ndikim “të menjëhershëm dhe të qëndrueshëm”.

Karriera e Nebi Qenës nisi në gazetën “Koha Ditore”, ku raportoi gjatë luftës në Kosovë. Më pas, ai ka punuar për disa vite në Radiotelevizionin e Kosovës (RTK), përpara se t’i bashkohej AP-së. Gjatë viteve në këtë agjenci, Qena ka mbajtur pozita udhëheqëse në Evropë, Jerusalem dhe tashmë në Washington, ku do të vazhdojë kontributin e tij në krye të departamentit të videove.

Emërimi i tij vjen si një vlerësim i punës së palodhur të një gazetari që ka dëshmuar profesionalizëm dhe integritet në mbulimin e ngjarjeve më të rëndësishme ndërkombëtare.

The post Shqiptari nga Kosova emërohet zv.drejtor për video në Associated Press në SHBA appeared first on Albinfo.