Shtrenjtimi i rrymës 15%/ Shumë biznese mund të mbyllen dhe punëtorët rrezikojnë të mbesin pa punë
Zyra e Rregullatorit për Energji Elektrike në Kosovë (ZRRE) ka propozuar rritjen e çmimit të energjisë elektrike në Kosovë me rreth 15%, vendim ky që pritet të hyjë në fuqi më 1 prill 2025. Një propozim i tillë po kundërshtohet ashpër nga partitë opozitare, përfaqësuesit e biznesit, si dhe ekspertët ekonomik, me arsyetimin se kjo

Zyra e Rregullatorit për Energji Elektrike në Kosovë (ZRRE) ka propozuar rritjen e çmimit të energjisë elektrike në Kosovë me rreth 15%, vendim ky që pritet të hyjë në fuqi më 1 prill 2025.
Një propozim i tillë po kundërshtohet ashpër nga partitë opozitare, përfaqësuesit e biznesit, si dhe ekspertët ekonomik, me arsyetimin se kjo do t’i ngrisë në mënyrë zinxhirore edhe çmimet e artikujve tjerë në Kosovë.
Poashtu, sipas tyre, shtrenjtimi i energjisë elektrike kur po kalon sezoni dimëror është i paarsyeshëm sepse Kosova i plotëson kërkesat e veta me energji elektrike nga prodhimi vendor, si dhe çmimi i energjisë nga importi është “për toke”, pasi që një megavat energji elektrike po tregtohet në tregun ndërkombëtar me 73 euro, çmimi ky më i ulëti në 5 vitet e fundit.
ërndryshe, tarifat e energjisë elektrike në Kosovë janë shtrenjtuar për 115% në tri vitet e fundit.
Rafuna: Shtrenjtimi i rrymës i godet bizneset e vogla dhe amvisëritë
Kryetari i OEK-së, Lulzim Rafuna, në një prononcim për FrontOnline ka deklaruar se ngritja e çmimit të energjisë elektrike prej 15% ka një ndikim të drejtpërdrejt tek qytetarët, duke ndikuar në faturat e amvisërive dhe të bizneseve të vogla.
‘’Ngritja e çmimit të rrymës prej 15% ka të bëjë drejtpërdrejt me qytetarin, me faturat e amvisërisë dhe bizneset e vogla’’, tha Rafuna.
Ai theksoi se kjo rritje do të ketë pasoja negative, duke ulur standardin jetësor të qytetarëve dhe duke rënduar më shumë ata që tashmë paguajnë më shumë për energjinë elektrike. Për bizneset e vogla, rritja e çmimit të energjisë do të ndikojë në prodhim dhe ofrimin e shërbimeve.
‘’Kjo rritje pa dyshim ka efekt sepse ndikon në prodhim, ose ofrimit të shërbimeve sa i përket bizneseve të vogla, kurse varfëron qytetarin, e ul standardin jetësor të qytetarit sepse ai tash paguan 15% më shtrenjtë rrymë sesa që ka paguar’’, deklaroi kryetari i OEK.
Rafuna gjithashtu shtoi se për bizneset e mesme dhe të mëdha, të cilat kanë mbi 50 punonjës dhe një qarkullim mbi 10 milionë euro, rritja e çmimit të energjisë do të jetë më e madhe, madje mund të arrijë deri në 100%, pasi ato do të detyrohen të dalin në tregun e lirë të energjisë nga 1 qershori 2025.
Kjo, sipas Rafunës do të shkaktojë një inflacion të mundshëm dhe një rritje të çmimeve të produkteve, duke bërë që ato të jenë më pak konkurruese në tregun e brendshëm, pasi do të rritet kostoja e prodhimit.
‘’Bizneset e mesme dhe të mëdha, ato që kanë mbi 50 punëtorë dhe kanë qarkullim mbi 10 milionë ato janë të detyruara të dalin në tregun e lirë prej 1 qershorit, dhe tek ato rritja nuk do të jetë 15%, por mund të shkojë edhe deri 100%. Kështu që do ta kemi një inflacion për shkak se do të kemi rritje të çmimet e produkteve tona që prodhohen dhe produktet tona nuk mund të jenë konkurrent me produktet e importuara’’, përfundoi Rafuna.
Kreu i sektorit privat: Punëtorëve me paga të ulëta po u vendoset “laku në fyt”
Kryetari i Sektorit privat, Jusuf Azemi, ka deklaruar se kjo rritje e çmimit të energjisë elektrike prej 15% do të ketë pasoja të drejtpërdrejta në çmimet e produkteve, përfshirë mbi 80% të produkteve ushqimore, të cilat janë të ndikuara nga kostot e larta të energjisë.
‘’ Është shumë normal që përveç që do të bëhet shtrenjtimi i rrymës , do të shtrenjtohen edhe produktet’’, tha Azemi për FrontOnline.
Azemi tha se ‘’laku’’ në fyt e kanë punëtoret qe një kohë, pasi që të njëjtit paguhen me paga të ulëta prej 234 eurosh, dhe një shtrenjtim i çmimit të energjisë do të bëjë që këto kosto të bëhen të papërballueshme.
‘’ Neve laku në fyt na ka ardhë që një kohë bukur të gjatë , sepse ka ende punëtorë që paguhen 234 euro,nëse vjen një kosto e lartë e rrymës do të jetë shumë e pa përballueshme’’, thotë kryetari i sektorit privat.
Ai tha se ne si vend praktikisht “flemë mbi thëngjill”, dhe ky shtrenjtim është shumë i paarsyeshëm, sidomos kur pjesa më e madhe e lëndës së parë për prodhim është e disponueshme brenda vendit.
‘’Ne në një farë forme ‘’flemë’’ mbi thëngjill dhe lënda parë për prodhim është në Kosovë e të ndodhë ky lloj shtrenjtimi është shumë e pakuptimtë ‘’, përfundoi Azemi.
Dreshaj: Rritja e çmimit të rrymës kërcënon bizneset dhe rrit rrezikun e mbylljes së tyre
Kryetari i Lidhjes së Bizneseve të Kosovës, Besart Dreshaj, në një pronocim për FrontOnline tha se në situatën aktuale ekonomike, ku bizneset vendore po përballen me sfida të shumta, një rritje e çmimit të energjisë elektrike, siç është kërkuar nga KEK-u, KEDS-i dhe ZRRE, do të kishte ndikim jashtëzakonisht negativ.
‘’Në situatën aktuale ekonomike, ku bizneset vendore po përballen me sfida dhe probleme të shumta, rritja eventuale e çmimit të energjisë elektrike, siç është kërkuar nga KEK-u dhe KEDS-i dhe tani edhe nga ZRRE, do të kishte ndikim jashtëzakonisht negativ në funksionimin e tyre’’, tha Dreshaj.
Ai theksoi se një vendim i tillë do të përkeqësonte pozitën e sektorit privat, duke rritur kostot operative dhe duke vështirësuar mbijetesën e shumë ndërmarrjeve.
‘’ Një vendim i tillë do të përkeqësonte më tej pozitën tashmë të vështirë të sektorit privat, duke rritur kostot operative dhe duke vështirësuar mbijetesën e shumë ndërmarrjeve’’, theksoi kryetari I lidhjes se bizneseve.
Dreshaj tha se zhvillimi i ekonomisë së tregut, si një prioritet kushtetues dhe politik, mund të arrihet vetëm përmes fuqizimit të sektorit privat, që është shtylla kryesore e rritjes ekonomike.
Ai shtoi se rritja e çmimit të energjisë do të kishte pasoja të rënda, duke përfshirë rritjen e kostove për bizneset, uljen e konkurrueshmërisë së kompanive vendore, pengimin e zhvillimit të ndërmarrësisë dhe investimeve të reja, dhe rritjen e rrezikut të mbylljes së bizneseve dhe humbjes së vendeve të punës.
‘’Rritja eventuale e çmimit të energjisë elektrike do të kishte pasoja të shumëfishta negative, duke ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e kostove për bizneset, ulur konkurrueshmërinë e kompanive vendore në tregun rajonal dhe më gjerë, penguar zhvillimin e ndërmarrësisë dhe investimeve të reja, shtuar rrezikun e mbylljes së bizneseve dhe humbjes së vendeve të punës’’, tha Dreshaj.
Për këto arsye, Dreshaj kërkoi nga institucionet qeveritare dhe Zyra e Rregullatorit të Energjisë që të mos aprovojnë rritjen e çmimit të energjisë elektrike, pasi një vendim i tillë do të dëmtonte rëndë ekonominë
‘’Lidhja e Bizneseve të Kosovës ka kërkuar nga institucionet qeveritare dhe kërkon nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë të mos aprovojë kërkesën për rritjen e çmimit të energjisë elektrike të paraqitur nga KEK-u dhe KEDS-i. Një vendim i tillë do të ishte i dëmshëm për të gjithë ekonominë’’, përfundoi Dreshaj.