Doli nga shtypi libri “Si shihet atdheu nga larg” i Skënder Karaçicës

Doli nga shtypi libri “Si shihet atdheu nga larg” i Skënder Karaçicës

Ka dalë nga shtypi libri “Si shihet atdheu nga larg” i autorit, publicistit dhe veprimtarit Skënder Karaçica, një vepër që ndërthur kujtesën personale me përvojën e mërgimit dhe historinë e shqiptarëve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës

Në faqet e librit rikthehen Drenica, Kosova, mërgimi, njerëzit dhe ngjarjet që kanë lënë gjurmë në jetën e autorit. Përmes rrëfimeve, dëshmive, kujtimeve dhe reflektimeve, Karaçica sjell një pamje të gjerë të lidhjes së mërgimtarit me atdheun dhe të përpjekjeve për ta ruajtur identitetin, gjuhën dhe kujtesën shqiptare ndër breza.

Libri nuk mbetet vetëm në rrafshin autobiografik. Në të trajtohen edhe përvoja e diasporës shqiptare, veprimtaria atdhetare, marrëdhënia me vendlindjen, lufta dhe sakrifica, kultura, familja dhe përgjegjësia për të mos lejuar që përjetimet e një kohe të humbasin.

“Si shihet atdheu nga larg” mund të lexohet edhe si një pasaportë e mërgatës shqiptare në Amerikë, sepse në të pasqyrohet një shekull veprimtarie atdhetare, përkushtimi dhe qëndrimi në krah të atdheut dhe kombit shqiptar.

Në vlerësimin e tij për librin, Avni Spahiu, në recensionin “Autori shpirtërisht i pashkëputur”, vë në pah lidhjen e vazhdueshme të autorit me atdheun, pavarësisht largësisë, si dhe përkushtimin e tij ndaj Kosovës dhe jetës shqiptare.

Ndërkaq, Begzad Baliu, në recensionin “Skënder Karaçica: Kujtesa si detyrë”, shkruan: “Historia nuk ruhet vetëm në dokumente institucionale dhe vendime politike. Ajo jeton edhe në kujtime, rrëfime, anekdota, fjalë e përjetime që kalojnë nga një brez te tjetri. Skënder Karaçica ka mbledhur një pjesë të tyre dhe, duke i hedhur në letër, i ka ruajtur nga harresa.”

Pikërisht kujtesa është një nga boshtet kryesore të veprës. Ajo paraqitet jo vetëm si mall për të kaluarën, por si dëshmi dhe përgjegjësi ndaj brezave që vijnë.

Skënder Karaçica prej vitesh jeton dhe vepron në Çikago dhe është i angazhuar në jetën publicistike, kulturore dhe shoqërore të komunitetit shqiptar. Në këtë libër ai ka përmbledhur një pjesë të shkrimeve, kujtimeve dhe dëshmive të tij, duke krijuar një vepër që lidh përvojën personale me kujtesën më të gjerë të mërgatës shqiptare.

Botimi është realizuar nga Botimet Drini, ndërsa libri tashmë ka dalë nga shtypi dhe pritet të arrijë te lexuesit në Kosovë, në diasporë dhe më gjerë.

Frymën e librit e përmbledh edhe kjo porosi: “Atdheu nuk matet me largësi, por me dashurinë që nuk shuhet kurrë.”(INA)


Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.