Sipërmarrësi i vitit në swissalbs Award Gala Night 2026 quhet Besfort Bijlali

Sipërmarrësi i vitit në swissalbs Award Gala Night 2026 quhet Besfort Bijlali

Në ambientet prestigjioze të Kongresshaus Zürich, përfaqësues të biznesit, shkencës, teknologjisë, kulturës dhe jetës shoqërore u mblodhën për swissalbs Award Gala Night 2026, një mbrëmje kushtuar arritjeve dhe kontributit të shqiptaro-zviceranëve, shkruan albinfo.ch.

Pas edicionit të vitit të kaluar, kur çmimet kryesore shkuan për prodhuesin e njohur të orëve Rexhep Rexhepi dhe yllin e futbollit Xherdan Shaqiri, sivjet në qendër të vëmendjes ishte një brez tjetër profesionistësh dhe sipërmarrësish që po lënë gjurmë në Zvicër.

Mbrëmjen e hapi Përparim Avdili, kryetar i swissalbs, i cili u uroi mirëseardhje të ftuarve në Kongresshaus Zürich.

“Ne nuk duhet t’i vëmë përballë njëri-tjetrit dy identitetet tona. Mund të jemi njëkohësisht zviceranë dhe shqiptarë, pa qenë të detyruar të zgjedhim mes njërës apo tjetrës. Kjo përkatësi e dyfishtë nuk duhet të krijojë përçarje brenda nesh, por të shndërrohet në forcë”, ishte mesazhi i Përparim Avdilit.

Ai kujtoi gjithashtu rrugëtimin e brezave të shqiptarëve në Zvicër: prindërit dhe gjyshërit që dikur erdhën në këtë vend “me disa valixhe, pa gjuhën, pa rrjetin e njohjeve dhe shpesh me asgjë më shumë se guximin për të provuar”, ndërsa sot fëmijët dhe nipërit e tyre janë pjesë aktive dhe e suksesshme e shoqërisë zvicerane.

Besfort Bijlali, fitues i çmimit kryesor

Gara për çmimin “Entrepreneur of the Year 2026” solli në skenën e Kongresshaus Zürich disa profile të sipërmarrjes dhe inovacionit shqiptaro-zviceran.

Në mesin e të nominuarve ishin Armend Hoti, bashkëthemelues dhe CEO i ClexBio, kompani që zhvillon inde të bioinxhinieruara për terapitë me qeliza staminale; Ardita Shala, themeluese dhe drejtuese e SoilTrack, platformë digjitale për menaxhimin inteligjent të logjistikës së dheut; Eris Sako, bashkëthemelues dhe CEO i Duatic, kompani që zhvillon sisteme robotike për automatizimin e proceseve industriale; si dhe Besfort Bijlali, bashkëthemelues i Lumvin AG.

Në fund, Besfort Bijlali u shpall fitues i çmimit kryesor “Entrepreneur of the Year 2026”.

“Jam shumë i lumtur, sidomos kur konkurrenca ishte kaq e fortë.”, tha Besfort Bijlali.

Bijlali është bashkëthemelues i Lumvin AG, kompani zvicerane që zhvillon zgjidhje të qëndrueshme LED dhe inxhinierike. Përmes qasjes së ripërdorimit të sistemeve ekzistuese të ndriçimit, kompania synon t’i bëjë ato më efikase në konsumin e energjisë dhe më të qëndrueshme për të ardhmen.

Trofeu kryesor i mbrëmjes u sponsorizua nga Giazada e Arben Ademit.

Shkurta Gashi, ekselenca akademike e vitit 2026

Një tjetër moment i rëndësishëm i mbrëmjes ishte ndarja e “Academic Excellence Award 2026”, çmim që këtë vit iu dha Shkurta Gashit.

Gashi,  vepron në fushën e inteligjencës artificiale dhe shëndetit digjital në ETH Zürich, duke përfaqësuar një brez të profesionistëve shqiptarë që po ndërtojnë karrierë në institucionet më të rëndësishme akademike dhe kërkimore të Zvicrës.

“Academic Excellence Award”, që zhvillohet në bashkëpunim me Albanian Engineering of Switzerland (AES), synon të nxjerrë në pah arritjet akademike dhe shkencore të profesionistëve të rinj.

Çmimi i sivjetmë u sponsorizua nga inxhinieri i njohur Besnik Halili.

Një gjeneratë profesionistësh që po lë gjurmë në Zvicër

Vetë lista e të nominuarve për swissalbs Award Gala Night 2026 dëshmoi spektrin e gjerë të fushave ku profesionistët me prejardhje shqiptare janë të pranishëm sot në Zvicër.

Për “Academic Excellence Award”, krahas fitueses Shkurta Gashi, të nominuar ishin edhe Kemal Struja, Dr. Sc. Structural Dynamics and Earthquake Engineering në ETH Zürich, dhe Lindon Bytyqi, MSc Architecture në Lucerne University of Applied Sciences and Arts.

Nga inteligjenca artificiale e bioteknologjia, deri te robotika, inxhinieria dhe sipërmarrja, profilet e sivjetme pasqyruan një komunitet që po bëhet gjithnjë e më i pranishëm në fusha me rëndësi për ekonominë dhe shkencën zvicerane.

Martin Wittwer me “Keynote Speech”

Një moment tjetër i veçantë i mbrëmjes ishte Keynote Speech i Martin Wittwer, një personalitet me përvojë shumëvjeçare drejtuese në ekonominë zvicerane.

Wittwer ka qenë CEO i TUI Suisse dhe president i Federatës Zvicerane të Agjencive të Udhëtimit (SRV). Aktualisht ai drejton Fondacionin Laureus Switzerland, i cili angazhohet për t’u krijuar fëmijëve dhe të rinjve perspektiva dhe mundësi të reja përmes sportit.

Prania e tij solli në Gala Night një perspektivë mbi lidershipin, angazhimin shoqëror dhe rëndësinë e krijimit të mundësive për gjeneratat e reja.

Nga Kongresshaus Zürich, një tjetër dëshmi e suksesit shqiptaro-zviceran

swissalbs Award Gala Night po shndërrohet nga viti në vit në një skenë ku bëhen të dukshme histori të sipërmarrjes, shkencës, inovacionit dhe angazhimit shoqëror të shqiptarëve në Zvicër.

Në kuadër të mbrëmjes u nda edhe “Community Hero Award 2026”, i cili këtë vit i takoi aktorit, producentit dhe veprimtarit kulturor Ridvan Murati, si vlerësim për angazhimin e tij në jetën kulturore dhe komunitare.

Nëse vitin e kaluar në skenën e Kongresshaus-it shkëlqyen emra si Rexhep Rexhepi dhe Xherdan Shaqiri, edicioni i vitit 2026 solli në plan të parë Besfort Bijlalin dhe Shkurta Gashin – dy profile nga fusha të ndryshme, por që dëshmojnë potencialin dhe suksesin e brezave të rinj shqiptaro-zviceranë.

albinfo.ch është partner medial i Swissalbs që nga fillimi i këtij organizimi, duke e përcjellë dhe mbështetur vazhdimisht aktivitetin e tij.

Shumë shpejt, albinfo.ch do t’ju sjellë edhe videoreportazhin nga edicioni i sivjetmë i Swissalbs Award Gala Night 2026, me momentet më të veçanta të mbrëmjes, protagonistët dhe atmosferën që e karakterizoi këtë ngjarje.

Foto/video Gent Mersinaj.

Lexoni po ashtu;

Dy nga Zhegra e Gjilanit: dy trofe në Cyrih: Shaqiri dhe Rexhepi shkëlqejnë në swissalbs

The post Sipërmarrësi i vitit në swissalbs Award Gala Night 2026 quhet Besfort Bijlali appeared first on Albinfo.


Burimi i lajmit: albinfo.ch
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.