AMA sjell në Tiranë Platformën Europiane të Rrjeteve Rregullatore, 42 shtete diskutojnë sfidat e tregut mediatik

AMA sjell në Tiranë Platformën Europiane të Rrjeteve Rregullatore, 42 shtete diskutojnë sfidat e tregut mediatik

Konferenca e 63-të e EPRA në Tiranë: 42 shtete diskutojnë rregullimin e medias në Evropë

Në Tiranë janë nisur punimet e konferencës së 63-të të Platformës Evropiane të Autoriteteve Rregullatore (EPRA), një nga rrjetet më të vjetra dhe më të mëdha të autoriteteve rregullatore të medias në Evropë. Për herë të parë, delegacione nga 42 vende të Evropës janë mirëpritur në Shqipëri nga Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA), i cili organizon këtë takim të rëndësishëm.

Takimin e hapur Znj. Stephanie Comey, kryetarja e Bordit të EPRA-s, duke theksuar se EPRA është një forum jo politik dhe neutral në operacionet e tij. “EPRA është një sistem vlerash jo politik. Anëtarët duhet të ruajnë të njëjtat vlera dhe neutralitetin institucional” – tha ajo gjatë fjalës së hapjes.

Gjatë ceremonisë së hapjes, Znj. Armela Krasniqi, kryetarja e AMA-s, paraqiti një panoramë të zhvillimeve kryesore në peizazhin audioviziv shqiptar. Ajo theksoi rolin e rregullatorit të AMA-s, kuadrin ligjor aktual dhe përafrimin e tij me standardet europiane. Në këtë kontekst, Krasniqi përmendi strategjinë e AMA-s për periudhën 2024–2026, e cila fokusohet në rritjen e transparencës, forcimin e efikasitetit institucional dhe harmonizimin e legjislacionit shqiptar me kornizën europiane, duke përfshirë direktivat AVMSD, EMFA dhe DSA.

Një nga iniciativat e përmendura ishte hartimi i regjistrit të transparencës së pronësisë së medias audiovizive, një bazë të dhënash publike dhe të detajuar deri te përfituesit fundorë, e cila është aksesueshme në faqen zyrtare të AMA-s. Krasniqi gjithashtu përmendi se gjatë pesë viteve të aktivitetit të AMA-s janë marrë 550 vendime, me mbi 60% të tyre të marrë me dakordësi unanime dhe pa asnjë kontestim nga shoqëria civile, industria ose forcat politike.

“Gjatë pesë viteve janë marrë 38 gjoba për shkelje të përmbajtjes dhe 44 gjoba për piraterinë televizive, me një vlerë totale mbi 80 milionë lekë. Nga 49 procese gjyqësore të përfunduar në Gjykatën e Shkallës së parë, 80% janë fituar nga AMA” – tha ajo.

Gjatë ditës së parë të konferencës u diskutuan sfidat në lidhje me aksesueshmërinë e personave me aftësi të kufizuara (PAK) në transmetimet audiovizive. Vende si Spanja, Bullgaria dhe Lituania ndanë eksperiencën e tyre praktike, ndërsa u prezantuan edhe analizat nga Observatori Europian Audioviziv, Këshilli i Evropës dhe Komisioni Europian. Gjithashtu, u njoftua edhe faqja e re e internetit e EPRA-s, e përmirësuar për një përvojë më të mirë të navigimit, duke përfshirë edhe versionin mobil.

Pjesëmarrësit në këtë mbledhje përfshijnë edhe vëzhgues permanentë si Këshilli i Evropës, Observatori Europian Audiovizual, Zyra e përfaqësuesve të OSCE për Lirinë e Medias, Bordin Evropian të Shërbimeve Mediatike (ish ERGA), si dhe organizata të tjera si Platforma 3Cat, Netflix, Forumi Evropian i Aftësisë së Kufizuar dhe Cullen International.

Konferenca, e cila zhvillohet për herë të parë në Shqipëri, do të vazhdojë me punime në formë workshop-e për diskutimin e sfidave aktuale të tregut mediatik. Në fund të takimit është vendosur që mbledhja e 64-të e EPRA-s do të zhvillohet në Irlandë vitin e ardhshëm.

Me pak fjalë

Konferenca e 63-të e EPRA në Tiranë, organizuar nga AMA, mbledh 42 shtete për të diskutuar sfidat e tregut mediatik, duke përfshirë transparencën, harmonizimin ligjor dhe aksesueshmërinë e personave me aftësi të kufizuara. Strategjia e AMA-s për 2024–2026 fokusohet në përmirësimin e efikasitetit institucional dhe përafrimin me standardet europiane.

Personat e përmendur


Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.