SuperKurti ju shpëtoftë! O besimtarë të mrekullive politike

SuperKurti ju shpëtoftë! O besimtarë të mrekullive politike

Shkruan: Lis Bukuroca

SuperKurti ju shpëtoftë!
O besimtarë të mrekullive politike!

„Na duhen aleatët për ta zhbërë Gjykatën!“, thotë Ganimetja.
Po, a nuk e bëtë ju Gjykatën nën presionin e aleatëve, zonjë e madhe, gjeniale? Apo besoni se edhe ata janë si ju?!
Marrin vendime, pastaj pendohen!?

I kuptoni dëmet e mëdha vetëm pas një dekade dhe u revoltuat, jo atëherë kur duhej, por pasi përfundoi procesi.

Ju, me këtë nivel dijeje si z. Hamza, znj. Çitaku e z. Ganimete Musliu, nuk mund t’ju ndihmojë askush.
As zoti!
Por ju besoni se Kurti mund të bëjë më shumë se ai.

Ju kërkoni të veprojë Kurti, por nuk i tregoni se çfarë duhet të bëjë ai? Çfarë mund të bëjë kryeministri kundër një institucioni të pavarur që e keni ngritur ju?

A mund të vendosë Kurti se çfarë specialitetesh ofron një restorant? Jo, zonjë, jo. Po aq ndikim ka shteti mbi gjykatat.
Në rendin demokratik.

Çfarë bëri kryeministri Kurti kundër prokurorëve të Kosovës, të cilët nuk i shqyrtuan dhe nuk po i shqyrtojnë 220 dosje të dorëzuara nga qeveria për abuzime dhe krime ekonomike?
Asgjë zonja e zotërinj! Asgjë!
Çfarë mund të bëjë kur gjykata nuk dënon as kriminel?
Asgjë zonja e zotërinj! Asgjë!

Por ju besoni se Superkurti mund të bëjë çdo gjë në Hollandë.

Ju keni firmosur pa lexuar. Ju nuk keni as Këshill Prokurorial,
as Këshill Gjyqësor për ta mbikëqyrur punën e asaj Gjykate e Prokurorie Speciale. Pse ju duhen atje, kur këto nuk funksionojnë as në Kosovë!?

Sot, ju, pas 11 viteve, po kuptoni se çfarë keni bërë!

Sjellja juaj është thjesht për keqardhje dhe kërkoni fajtorë, si edhe disa gazetarë që luftuan për themelimin e saj.
„Miza nën kapuç“, thotë populli.

Ju po çaravesheni e po „qani“, mu si Milaim Zeka.
Ju po vuani nga zeka-sindroma!

Nuk e kuptoni se kanë ndryshuar politikanët, nuk është më Clinton, Blair, Bush, etj., dhe se Gjykata nisi nga Obama. Aty nisën ndryshimet. Perëndimi nuk është më ai i viteve të nëntëdhjeta. Nuk është më as Rugova. . E pastaj, ata nga të cilët prisni ndihmë, respektojnë vendimet e gjykatave edhe në vendet e veta.

E keqja e madhe është se u zgjuat tepër vonë dhe tani po flisni jerm, po flisni për të folur, për t’u dukur, për protagonizëm,
sepse edhe ju e dini,
apo duhet ta dini, se në gjykata nuk mund të ndikojë askush.

Ndoshta vetëm Amerika.
Ndoshta Trump.
Tjetër kush nuk guxon!

Sidoqoftë, kjo sindromë e juaja meriton të studiohet si fenomen psikologjik si „Sindroma Milaim Zeka“. Çfarë është kjo?

Një paradoks emocional dhe politik në të cilin individi, me pasion të madh, kërkon që dikush të burgoset për krime; por, sapo burgosja bëhet realitet, përjeton një përmbysje, një rënie dramatike emocionale dhe fillon të qajë për viktimën e vet.
Edhe atë, për ta parë publiku, në televizion. Pa u penduar. Pa kërkuar ndjesë zonja e zotërinj!

Nejse, meqenëse besoni se Kurti mund të bëjë çdo gjë, madje edhe atë që nuk mund ta bëjë askush tjetër, atëherë nuk po i lutem zotit për ju, por Kryeministrit.

SuperKurti ju shpëtoftë!
Amin!
O besimtarë të mrekullive politike!


Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.