S’ka kushte teknike për të dëgjuar dëshmitarin anonim, shtyhet seanca ndaj të akuzuarit për kri*me lufte

Është shtyrë seanca në të cilën ka pasur të dëgjohet dëshmitari anonim F1, për shkak të mungesës së kushteve teknike nga ana e gjykatës, në rastin ku Millosh Plsekoviq akuzohet për krime lufte. Këtë gjë e bëri të ditur kryetari i trupit gjykues, Rrahman Beqiri, i cili tha se sot ka pranuar një email nga

S’ka kushte teknike për të dëgjuar dëshmitarin anonim, shtyhet seanca ndaj të akuzuarit për kri*me lufte

Është shtyrë seanca në të cilën ka pasur të dëgjohet dëshmitari anonim F1, për shkak të mungesës së kushteve teknike nga ana e gjykatës, në rastin ku Millosh Plsekoviq akuzohet për krime lufte.

Këtë gjë e bëri të ditur kryetari i trupit gjykues, Rrahman Beqiri, i cili tha se sot ka pranuar një email nga zyrtari i gjykatës, i cili e ka njoftuar se nuk ka kushte teknike.

Mirëpo, përveç kësaj, gjyqtari Beqiri njoftoi se ka marrë edhe një email nga mbrojtësja e të akuzuarit, avokatja Jovana Filipoviq, e cila kishte thënë se deklaratën e dëshmitarit anonim e kishte pranuar një ditë para shqyrtimit gjyqësor dhe jo në afatin prej tetë ditësh, ashtu siç ishte kërkuar nga shqyrtimi i kaluar.

Lidhur me këtë, avokatja Filipoviq tha se nuk mund të merret në pyetje dëshmitari, si dhe për faktin që deklarata fillestare e dhënë në polici nuk i është dorëzuar akoma mbrojtjes.

“Konsideroj që procedura në këtë fazë nuk mund të vazhdohet derisa mbrojtjes nuk i dorëzohet deklarata fillestare”, tha avokatja Filipoviq.

Lidhur me mungesat teknike, prokurori special, Ilir Morina, tha se siguria dhe ekspozimi i këtij dëshmitari e vështirëson punën e Prokurorisë.

“Dhe në shqyrtim gjyqësor të këtij procesi kemi një aktvendim ku thuhet ‘urdhërohet prokurori i shtetit t’ia dorëzojë mbrojtjes dëshminë e dëshmitarit F1’. Ne kemi vepruar në këtë mënyrë dhe ja kemi dorëzuar dëshminë me redaktime. Fakti që redaktimet kanë marrë një kohë të gjatë është i vërtetë dhe nuk kemi arritur ta dorëzojmë në kohën e paraparë, sepse është dashur edhe përkthimi nga gjuha shqipe në gjuhën serbe”, tha tutje Morina.

Ndërsa, lidhur me dëshminë e këtij dëshmitari të dhënë në Polici, prokurori Morina tha se kjo deklaratë nuk mund t’i ofrohet mbrojtjes, për shkak se në urdhrin e gjykatës nuk përmendet kjo deklaratë dhe se mbrojtja nuk është njëra nga palët që mund të ketë qasje në këtë deklaratë, bazuar në KPPRK.

Pasi që nuk kishte kushte për mbajtjen e kësaj seance, e njëjta u shty për një datë tjetër.Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale e ngritur më 7 qershor 2024, thuhet se Millosh Pleskoviq gjatë vitit 1998-’99 në Prizren, në bashkëkryerje me person tjerë, ka shkelur rregullat e së drejtës ndërkombëtare kundër personave civilë, duke kryer vrasjen e viktimave.

Sipas aktakuzës, Pleskoviq duke funksionuar si grup i armatosur me 7-8 persona të nacionalitetit serb, më 1 shtator 1998 në Prizren derisa ishin duke shkuar për në malin e tyre viktimat R.D., B.D., F.B., së bashku me të dëmtuarit Fevzi Cana, Xhenger Cana dhe Bashkim Kastrati, fillimisht janë ndalë papritmas nga grupi i armatosur serb, të cilët më pas janë fyer me fjalë serbe, e që në mesin e atij grupi të armatosur serb ishte parë edhe i akuzuari Pleskoviq.
Në një moment, sipas aktakuzës thuhet se Pleskoviq kishte filluar të gjuajë me armë të tipit “Kallashnikov”, ku nga të shtënat në vendin e ngjarjes kishin mbetur të vrarë R.D., B.D., dhe F.B., kurse të dëmtuarit Xhenger Cana, Fevzi Cana dhe Bashkim Kastrati kishin shpëtuar.

Tutje, në aktakuzë thuhet se familjarëve të të ndjerëve u ishte lejuar që t’i marrin trupat e tyre pas një jave nga vrasja, ku thuhet se trupat e R., dhe B.D., ishin vendosur mbi njëri-tjetrin, kurse njëri nga ta e kishte këmbën e prerë, ndërkaq viktima F., nuk e kishte kokën në trup.

Andaj, për këto veprime Pleskoviq po ngarkohet për veprën penale “Krim i luftës kundër popullsisë civile” e sanksionuar me nenin 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të ish-Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë si ligj në fuqi në kohë e kryerjes së veprës penale./“Betimi për Drejtësi”.