Skandal në Maqedoni: Pacienti i Neurologjisë krijoi me AI “diagnozën” dhe terapinë e tij

Një pacient ka falsifikuar një mendim konsiliar për të siguruar një terapi që gjendet në listën pozitive të barnave, duke përdorur inteligjencën artificiale. Mashtrimi u zbulua rastësisht pasi Fondi i Sigurimit Shëndetësor e ktheu dokumentin në Klinikën e Neurologjisë, për shkak se faksimili i njërit prej mjekëve nuk përputhej me atë të klinikës, raportoi TV Sitel.
Gjatë verifikimit, Klinika e Neurologjisë konstatoi se ishin falsifikuar edhe vulat e tjera, emrat e disa neurologëve, si dhe vetë emri i institucionit. Në dokument ishte shënuar “Instituti për Rehabilitim – Klinika Universitare për Neurologji”, institucion që nuk figuron në regjistrin shëndetësor.
“Kur e pamë mendimin konsiliar, për të cilin menduam se ishte lëshuar nga klinika jonë, kuptuam se bëhej fjalë për një dokument të krijuar me inteligjencë artificiale dhe plotësisht të falsifikuar. Me shumë gjasë, këtë do ta tregojë edhe hetimi i mëtejshëm”, deklaroi asist. dr. Jovan Bozhinovski, drejtor i Klinikës së Neurologjisë.
Sipas informacioneve, personi ka qenë prej vitesh pacient i Klinikës së Neurologjisë dhe, për shkak të diagnozës së tij, kishte marrë terapinë përkatëse. Për marrjen e kësaj terapie kërkohej mendim konsiliar me nënshkrimet dhe vulat e tre mjekëve.
Rasti është raportuar të premten në Ministrinë e Shëndetësisë.
Bozhinovski paralajmëroi se rasti ngre edhe një çështje më të gjerë, pasi mbetet për t’u verifikuar nëse dokumente të ngjashme të falsifikuara mund të jenë përdorur më herët për sigurimin e barnave, pushimeve mjekësore apo trajtimeve rehabilituese.
“Këtu shtrohet pyetja nëse mendime të tilla konsiliare kanë kaluar tashmë për barna, për pushime mjekësore apo për trajtim në banja. Problemi është serioz”, paralajmëroi Bozhinovski.
Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



