Skiatori polak bën histori, ngjit dhe zbret në Everest pa përdorur bombol oksigjeni
Një skiator polak ka bërë histori duke u bërë personi i parë që ngjitet dhe zbret me ski nga maja e Everestit, pa përdorur bombol oksigjeni. Andrzej Bargiel, 37 vjeç, arriti ta realizonte këtë sukses në përpjekjen e tij të tretë për të ngjitur malin më të lartë në botë, me lartësi 8,849 metra. Ai [...]Read More...

Një skiator polak ka bërë histori duke u bërë personi i parë që ngjitet dhe zbret me ski nga maja e Everestit, pa përdorur bombol oksigjeni.
Andrzej Bargiel, 37 vjeç, arriti ta realizonte këtë sukses në përpjekjen e tij të tretë për të ngjitur malin më të lartë në botë, me lartësi 8,849 metra. Ai ishte detyruar të ndërpriste dy përpjekjet e mëparshme në vitet 2019 dhe 2022 për shkak të kushteve të rrezikshme.
“Ngjitja në majë ishte jashtëzakonisht e vështirë dhe e lodhshme. Nuk kisha kaluar kurrë kaq shumë kohë në një lartësi kaq të madhe në jetën time, ndaj kjo ishte një sfidë e vërtetë”, tha Bargiel. “Zbritja me ski nga Everest pa oksigjen ka qenë një ëndërr që më ka shoqëruar për vite me radhë.”
Sipas bazës së të dhënave Himalajane, mbi 6 mijë persona kanë ngjitur këtë mal, por vetëm rreth 200 prej tyre e kanë bërë këtë pa përdorur oksigjen shtesë. Disa kanë zbritur me ski, por asnjë nuk e kishte bërë një zbritje të vazhdueshme pa oksigjen.
Ngjitja përmes “zonës së vdekjes”, që ndodhet mbi 8 mijë metra lartësi dhe ku niveli i oksigjenit është shumë i ulët, i mori Bargielit pothuajse 16 orë të hënën.
Në majën e malit, ajri është aq i hollë sa ngjitësit marrin vetëm një të tretën e oksigjenit që është në nivel të detit, gjë që mund të shkaktojë dëmtime në tru, lëngje në mushkëri dhe madje edhe vdekje. Të martën në mëngjes, Bargiel zbriti me ski përmes zonës së njohur si Khumbu Icefall, një labirint akulli me maja dhe çarje të thella, e njohur si një prej pjesëve më të rrezikshme të Everestit, duke mbërritur më pas në kampin bazë. Ai u ndihmua në këtë zbritje edhe nga një dron që fluturohej nga vëllai i tij, Bartek.
“Zbritjen e ndava në dy pjesë, pasi kalimi nëpër këtë pjesë teknike dhe të vështirë të akullit ishte i mundur vetëm në kushte relativisht të sigurta në mëngjes”, shpjegoi Bargiel.
Kryeministri polak, Donald Tusk, e festoi ngjarjen në rrjetin social X, duke shkruar: Qielli është kufiri? Jo për polakët! Andrzej Bargiel sapo zbriti me ski nga Maja Everest.
Në vitin 2018, Bargiel u bë personi i parë që zbriti me ski nga K2, mali i dytë më i lartë në botë, në Pakistan. Në një intervistë për ‘The Guardian’ në vitin 2020, ai tha: Askush nuk mendonte se mundej; madje edhe vëllai im kishte dyshime. Më mësoi rëndësinë e durimit dhe që askush tjetër nuk mund të realizojë ëndrrat e tua përveç vetes.