Sorensen javën tjetër në Kosovë

Mësohet se i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë Peter Sorensen pritet të qëndrojë në Kosovë javën që vjen, nga 17 deri me 19 Mars,  në vizitën e tij të parë prej kur mori këtë post duke e zëvendësuar paraardhësin e tij Mirioslav Lajçak, përcjell albinfo.ch. Sorensen do të vizitojë […] The post Sorensen javën tjetër në Kosovë appeared first on Albinfo.

Sorensen javën tjetër në Kosovë

Mësohet se i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë Peter Sorensen pritet të qëndrojë në Kosovë javën që vjen, nga 17 deri me 19 Mars,  në vizitën e tij të parë prej kur mori këtë post duke e zëvendësuar paraardhësin e tij Mirioslav Lajçak, përcjell albinfo.ch.

Sorensen do të vizitojë Kosovën për të përgatitur vazhdimin e procesit të dialogut në kuadër të së cilit për muaj nuk ka pasur lëvizje. Ndër temat e para që do të mund të diskutohen është zbatimi i deklaratës për të pagjeturit, për të cilën palët kishin rënë dakord, por takimi i fundit në Bruksel në nivel të ekspertëve kishte dështuar.

Nga ana tjetër përfaqësuesja e re e lartë e BE-së Kaja Kallas ka thënë para disa javësh që gjatë muajit mars do të shikojnë se si të ecet përpara në procesin e dialogut duke përmendur po ashtu edhe faktin se ka kritika ndaj formatit të deritashëm të këtij procesi.

Në BE vazhdojnë të thonë se nuk do të heqin dorë nga kërkesat që si Kosova ashtu edhe Serbia t’i përmbushin obligimet e tyre që kanë dalë nga procesi i deritashëm i dialogut, e kjo përfshinë zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura deri me tash.

Diplomatët në BE janë kureshtarë për të parë se si do t’i qasen këtij procesi përfaqësuesja e lartë Kaja Kallas dhe i dërguari i posaçëm Peter Sorensen. Por të njëjtit thonë se në këtë moment, përderisa është e paqartë se kur dhe si do të formohet qeveria e Kosovës, ndërsa situata edhe në Serbi është „sfiduese“   me protestat e studentëve dhe me një qeveri formalisht në dorëheqje, nuk është reale të pritet ndonjë progres në procesin e dialogut.

Kosova dhe Serbia, së paku kështu vazhdon të thotë BE-ja, kishin arritur në muajin shkurt të vitit 2023 në Bruksel “Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit të raporteve” dhe më vonë në një takim në Ohër edhe aneksin për implementimin e saj. Por dy vjet më vonë nuk ka asnjë lëvizje në zbatimin e saj. Serbia për më tepër ka dërguar një letër në BE ku shprehet qartë se nuk do t’i zbatoi pjesët kryesore të asaj Marrëveshje. Këtë letër e kishte dërguar ish-kryeministrja e Serbisë Ana Bënabiq. Më vonë ish-i dërguari i posaçëm për dialog Miroslav Lajçak kishte thënë se “ajo letër është tërhequr” por tërheqja e saj asnjëherë nuk ishte konfirmuar. Serbia ka vazhduar të mos e zbatojë atë, përfshirë edhe me veprimet në Këshillin e Evropës ku ka kundërshtuar përpjekjet e Kosovës për t’u anëtarësuar në këtë organizatë, qoftë edhe pjesëmarrjen në punimet e Komitetit në cilësinë e mysafirit.

Nga ana tjetër BE-ja vazhdon ta kritikojë Kosovën për ato që i quan “veprime të njëanshme dhe të pakoordinuara” në veri dhe për mungesën e gatishmërisë për nisjen e procedurës për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Sorensen, sipas burimeve diplomatike, kësaj radhe nuk do ta vizitojë Serbinë, por këtë do ta bëjë në një rast tjetër. Kjo arsyetohet me “çështjet e agjendës”.

The post Sorensen javën tjetër në Kosovë appeared first on Albinfo.