Tahiri: VV e ka sjellë Kosovën në depresion të thellë shoqëror, politik e ekonomik

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, ka kritikuar Lëvizjen Vetëvendosje, duke e akuzuar se, përmes moskonstituimit të Kuvendit, e ka futur Kosovën në një krizë të thellë shoqërore, ekonomike dhe politike.
Tahiri ka thënë se situata në vend po përkeqësohet dhe po shkon drejt një pike kritike, duke prekur edhe sigurinë dhe ekonominë.
“Duke mos ushtruar detyrën e vet kushtetuese, me moskonstituimin e Kuvendit, kjo shumicë parlamentare e ka sjellë Kosovën në një depresion të thellë shoqëror, ekonomik dhe politik”, ka shkruar Tahiri.
Ai ka thënë se gjendja në vend “po agravohet” dhe se kriza politike, sipas tij, po ndikon në sigurinë e shoqërisë dhe në ekonominë që krijon vende pune.
“Kjo qasje, kjo mënyrë dhe ky koncept e ka vetëm një qëllim. Dhe qëllimi është ta sjellë shtetin e Kosovës në një krizë identitare të cilën historikisht e ka luftuar”, ka deklaruar ai.
Tahiri ka kritikuar gjithashtu qasjen politike të Vetëvendosjes, duke e lidhur atë me periudha të rëndësishme të historisë së Kosovës.
“Këtë konstelacion politik e ka vendosur në anën e kundërt të historisë në kohën e Marrëveshjes së Rambujesë dhe në kohën kur NATO ka hyrë në Kosovë. Ky konstelacion politik ka qenë në anën e kundërt të historisë kur është shpallur pavarësia e Kosovës”, ka shkruar ai.
Deputeti i AAK-së ka thënë se partia e tij nuk do ta lejojë, siç pretendon ai, krijimin e një narrativi që cenon shtetësinë e Kosovës.
“Këtë nuk do ta lejojmë. Këtë nuk do t’ia mundësojmë. Ne nuk kemi vend tjetër, as shtet tjetër dhe as arritje më të madhe kombëtare se pavarësinë e Kosovës”, ka përfunduar Tahiri.
Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



