Tarifa që goditi raportet Kurti-Osmani
Një vendim i Presidentit të SHBA-ve, Donald Trump, ka bërë që përveç që të vendos tarifë ndaj produkteve kosovare që eksportohen në SHBA, të ‘’godas’’ edhe raportet mes Qeverisë dhe Presidencës së vendit. Ndonëse kishin gjetur paqe për pak kohë, raportet mes ekzekutivit dhe presidencës përsëri morën tatëpjetën. Ishte reagimi i Presidentes Vjosa Osmani e

Një vendim i Presidentit të SHBA-ve, Donald Trump, ka bërë që përveç që të vendos tarifë ndaj produkteve kosovare që eksportohen në SHBA, të ‘’godas’’ edhe raportet mes Qeverisë dhe Presidencës së vendit.
Ndonëse kishin gjetur paqe për pak kohë, raportet mes ekzekutivit dhe presidencës përsëri morën tatëpjetën.
Ishte reagimi i Presidentes Vjosa Osmani e cila kërkoj nga ekzekutivi kosovar që ta heq taksën ndaj produkteve amerikane, gjë që irritoi jo pak ministrin e financave, Hekuran Muratin, i cili bëri një reagim publik, ku gjeti mbështetje edhe nga zëvendëskryeministri i parë, Besnik Bislimi.
“Sot, zyrtarisht i kërkova Qeverisë së Kosovës që të pezullojë tarifat e importit për të gjitha produktet amerikane – një hap i rëndësishëm për të thelluar lidhjet ekonomike me aleatin tonë më të ngushtë dhe për të dërguar një mesazh të qartë: Kosova është e gatshme për një marrëdhënie më të fuqishme me Shtetet e Bashkuara ‘’ shkroi Osmani
E pas kësaj kërkese, erdhi edhe reagimi nga ministri i financave Hekuran Murati
‘’ Sot pas orarit të rregullt të punës, në lajme lexova që Presidentja e vendit i paska bërë kërkesë Qeverisë që të pezullojë tarifat ndaj produkteve me origjinë nga ShBA-të. Kërkesa në email ishte dërguar në adresë të Qeverisë në 17:39, ndërkaq kjo gjë ishte bërë publike në rrjetin social X në 17:42, veç 3 minuta më vonë. Secili shtet serioz, këto çështje i trajton larg mediave, dhe publiku njoftohet kur të merret vendimi. Për më tepër, politikat fiskale bien në fushëveprimin e ekzekutivit, konkretisht ministrisë përgjegjëse për financa ‘’ i reagoi Murati, Presidentës Osmani.
Por heshtja ka kapluar totalisht ish-bashkëpartiakët e Osmanit, që janë në koalicion qeveritar por edhe partiak me Lëvizjen Vetëvendosje, ata nga Lista Guxo.
Ani pse dikur e kishin të parën në listë e ishin vardisur pas saj para më shumë se katër viteve, asnjëri nga ta nuk mori guximin të vardiset krah prijëses së tyre të dikurshme.
Në krah Osmanit i doli opozita, por edhe odat e ndryshme ekonomike, që kërkuan heqjen e taksës prej 10% nga Qeveria e Kosovës, ndaj produkteve amerikane.
Ish-kolegu kritikon heshtjen e deputetëve të GUXO: Kur kishin nevojë ishin në krah të Osmanit, tash po heshtin
Ish-deputeti i listës GUXO dhe ish-bashkëpartiaku i presidentes Vjosa Osmani, Ekrem Mustafa për FrontOnline, ka shprehur kritika ndaj heshtjes së deputetëve të kësaj liste pas përplasjes mes Presidencës dhe Qeverisë së Kosovës. Ai ka theksuar se ky qëndrim i deputetëve nuk i pëlqen dhe se është shqetësuar për mungesën e reagimit nga ta.
“Nuk është se i kamë parë edhe shumë këto lajme. Unë mendoj se me SHBA nuk duhet të ndodhë një taksë e tillë, unë jam kryesisht me Presidenten”, tha ai.
Ai ka shtuar se, dikur, deputetët e GUXO janë mbështetur hapur nga Vjosa Osmani, por tani heshtja e tyre i ka ngritur pyetje.
“Dikur kur kanë pasur nevojë më së shumti ata (deputetët e GUXO) janë rreshtuar nga znj.Osmani, tash kjo heshtja e fundit, nuk po më pëlqen“, ka thënë ish-deputeti, duke lënë të kuptohet se kjo heshtje është e papranueshme për të.
Ai ka shtuar se, ndërsa ai vetë është në mbështetje të presidentes Osmani, deputetët e GUXO janë të heshtur për të mos prishur marrëdhëniet me partnerin e koalicionit, kryeministrin Albin Kurti dhe Qeverinë.
‘’Nuk po prononcohen se po e zgjedhin heshtjen, për mos me e prishë rehatinë me partnerin e koalicionit. Për shkak që mos me i prish raportet me Kurtin dhe Qeverinë, po e zgjedhin heshtjen, por nuk mendoj se edhe ata mendojnë njëjtë si Qeveria’’ tha ish-deputeti Mustafa
Demhasaj i AAK-së: Osmani ka të drejt por gaboi me formën e kërkesës, deputetët e GUXO ranë nën kthetrat e Kurtit
Anëtari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Arton Demhasaj, për FrontOnline ka komentuar marrëdhëniet e dobëta ndërmjet Presidencës dhe Qeverisë, duke potencuar ftohjen e raporteve dhe sipas tij, kjo ka ndikuar në mënyrën e trajtimit të çështjeve të rëndësishme, si ato që lidhen me raportet e Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA).
“Unë mendoj se kjo tregon se ka mungesë të theksuar mes Presidencës dhe Qeverisë, pra kanë komunikim të dobët, për një çështje shumë të rëndësishme për raportet me SHBA-në.” tha ai.
Ai ka theksuar se kërkesa e Presidentes Vjosa Osmani është e drejtë, por ka bërë një vërejtje në lidhje me mënyrën e formulimit të saj.
“Mendoj se Presidentja ka të drejtë në kërkesën e saj, por ajo kërkesë nuk duhet bërë përmes rrjeteve sociale, por kanaleve zyrtare,” ka thënë Demhasaj, duke sugjeruar që komunikimi mes institucioneve të bëhet përmes kanaleve zyrtare.
Për më tepër, Demhasaj ka kritikuar deputetët e Listës GUXO për mungesën e reagimit ndaj situatës, duke thënë se heshtja e tyre tregon se ata kanë rënë nën ndikimin e partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje (VV).
“Mos reagimi i anëtarëve të Listës Guxo është tregues se ata kanë rënë nën kthetrat e VV-së dhe janë nën ndikim të kryeministrit Kurti,” ka përfunduar ai.
Pozhari për përplasjet Presidencë-Qeveri: Presidentes nuk i ka mbetur shumë mandat, kundërshtimet e tilla të pritshme
Analisti politik, Xhevdet Pozhari, , për FrontOnline ka komentuar marrëdhëniet e fundit mes Presidencës së Kosovës dhe ministrit të financave, Hekuran Muratit, mbi diskutimet publike për heqjen e tarifës prej 10% të produkteve amerikane nga Kosova.
Sipas Pozharit, replikat mes tyre i sheh më shumë si një keqkuptim, për cilat thotë se nuk është dashur të manifestohen në publik.
‘’Ka qenë një keqkuptim ndërinstitucional i cili jo domosdoshmërish është dashur të manifestohet edhe në publik, ngase bëhet fjalë për një temë që është në interes të madh të shtetit tonë’’, tha ai.
Ai thotë se të dyja palët ndajnë të njëjtën mendim sa i përket heqjes së kësaj tarife.
‘’Me sa e kuptoj të dyja palët e kanë të njëjtin mendim, por pse është kriju ky rivalitet, në opinion kjo është çështje që ju takon atyre’’ shton ai.
Më tej, analisti politik ka komentuar edhe heshtjen e deputetëve të Listës GUXO, dikur ish-bashkë partiak të Presidentes Vjosa Osmani.
‘’Ndërkaq për heshtjen e deputetëve të GUXO, mendoj se kjo parti funksionon në bazë të vendimeve që i merr dhe jo domosdoshmërish duhet të del në favor të njërës palë apo tjetrës. Kanë preferuar neutralitetin. Edhe pse mandati i presidentes nuk ka mbete shume gjatë këto tema janë të pritshme’’ tha ai.