Trafik armësh nga Kosova drejt grupeve kriminale në Shqipëri, arrestohet edhe një prizrenase

Trafik armësh nga Kosova drejt grupeve kriminale në Shqipëri, arrestohet edhe një prizrenase

Policia shqiptare ka finalizuar operacionin e koduar “Hallkat”, duke goditur një rast të dyshuar të trafikimit të armëve të zjarrit nga Kosova drejt Shqipërisë.

Gjatë operacionit, në Maminas janë arrestuar dy persona, një 34-vjeçar nga Kukësi, i dyshuar për trafikimin e armëve dhe municionit, si dhe një 39-vjeçare nga Prizreni, e cila dyshohet për moskallëzim të krimit.

Sipas Policisë së Shtetit, gjatë kontrollit në automjetin me të cilin po udhëtonin të dyshuarit janë gjetur 3 pistoleta dhe 34 fishekë, për të cilat dyshohet se janë trafikuar nga Kosova me qëllim shitjen te grupe kriminale në qytete të ndryshme të Shqipërisë.

Ndërkohë, gjatë kontrollit në banesën e 34-vjeçarit është gjetur edhe një armë e ftohtë, përkatësisht një dorezë hekuri.

“Hetimi vijon për të identifikuar dhe nxjerrë përpara përgjegjësisë penale, shtetas të tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë rast.Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme:, thotë Policia e Shtetit


Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.