BE-ja si palë e tretë në mosmarrëveshjen mes Shkupit dhe Sofjes

A mund të bëhet Bashkimi Evropian ndërmjetës mes Shkupit dhe Sofjes? Kjo pyetje është rikthyer në qendër të vëmendjes pasi kryeministri Hristijan Mickoski propozoi që bisedimet me Bullgarinë për Planin e Veprimit për të drejtat e pakicave të zhvillohen me ndërmjetësimin e BE-së.
Propozimi i Mickoskit ka tërhequr vëmendje si në Shkup, ashtu edhe në Sofje, duke rihapur debatin për rolin e mundshëm të Brukselit në tejkalimin e çështjeve të kontestuara mes dy vendeve. Nisma vjen në prag të vizitës së presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në Ballkanin Perëndimor, në një periudhë kur sërish janë aktualizuar çështjet e zgjerimit të BE-së dhe marrëdhënieve mes Shkupit dhe Sofjes.
Mickoski: Në tryezë duhet të jetë edhe një përfaqësues i BE-së
Në një intervistë për agjencinë shtetërore MIA, të publikuar më 19 shtator, Mickoski tha se me partnerët evropianë diskutohet rregullisht për çështjet e hapura me Bullgarinë, por theksoi se nuk dëshiron të hyjë në procese pa një rezultat të qartë dhe të parashikueshëm.
„Nuk jam nga ata njerëz që i bëjnë gjërat me nxitim në politikë. Kërkojmë zgjidhje, por asnjëherë nuk do të hyj në një proces pa pasur një fund të parashikueshëm“, tha Mickoski.
Sipas tij, kusht për çdo përparim është ndërtimi i besimit mes dy palëve.
„Për të arritur deri te një proces i tillë, fillimisht duhet të ndërtojmë besim dhe për këtë duhet të bisedojmë. Dëshira duhet të ekzistojë nga të dyja palët, sepse kjo është një rrugë me dy drejtime“, tha kryeministri.
Mickoski theksoi se Qeveria është e gatshme të diskutojë harmonizimin e Planit të Veprimit për pakicat, por me praninë e komunitetit ndërkombëtar.
„Do ta zhvillojmë procesin paralelisht. Jemi të gatshëm të bisedojmë për harmonizimin e Planit të Veprimit për pakicat, natyrisht në prani të komunitetit ndërkombëtar. Nëse dialogun e zhvillojmë vetëm me fqinjin tonë lindor, atëherë konfirmohet ajo që ne themi se është çështje bilaterale. Prandaj vlerësoj se është e nevojshme të kemi edhe një tjetër në tryezë. Le të jetë një përfaqësues i Bashkimit Evropian“, deklaroi Mickoski.
Ai tha se marrëdhëniet me Bullgarinë janë pjesë e bisedimeve edhe me përfaqësuesit e Këshillit të BE-së dhe Komisionit Evropian, si dhe me presidentin e Këshillit Evropian, Antonio Costa, dhe përfaqësuesen e lartë të BE-së për politikën e jashtme, Kaja Kallas.
Mickoski: Negociatat me BE-në duhet të ndryshojnë institucionet, jo identitetin
Në samitin „Concordia“ në Nju Jork, Mickoski foli edhe për procesin e integrimit evropian dhe kushtëzimet që, sipas tij, e kanë shoqëruar vendin gjatë dy dekadave të fundit.
„Për ne, për gjeneratën time, negociatat me BE-në ishin një mënyrë për të ndryshuar institucionet, jo identitetin. Fatkeqësisht, ka vende anëtare që përpiqen të zgjidhin çështje bilaterale përmes procesit të anëtarësimit“, tha kryeministri.
Ai shtoi se qytetarët janë të zhgënjyer për shkak të lëshimeve të bëra ndër vite, por theksoi se Maqedonia e Veriut mbetet e përkushtuar ndaj vlerave evropiane dhe anëtarësimit në BE.
Ideja për një palë të tretë nuk është e re
Analistët politikë vlerësojnë se përfshirja e një pale të tretë në dialogun mes Shkupit dhe Sofjes nuk përbën një ide të re.
Politologu Petar Arsovski tha se vizita e Ursula von der Leyen mund t’i japë shtysë politike përpjekjeve për zhbllokimin e procesit evropian.
Nga ana tjetër, Marko Troshanovski, president i Institutit për Demokraci „Societas Civilis“, tha se Plani i Veprimit për të drejtat e pakicave dhe komuniteteve ka mbështetje të gjerë në institucionet evropiane.
Sipas tij, plani ka marrë mbështetje nga organet e Këshillit të Evropës, vendet anëtare dhe Komisioni Evropian, me përjashtim të Bullgarisë.
Krahas Planit të Veprimit, për vazhdimin e procesit të integrimit evropian, Maqedonia e Veriut duhet t’i përfshijë bullgarët në Kushtetutë para mbajtjes së konferencës së dytë ndërqeveritare dhe hapjes së fazës së ardhshme të negociatave të anëtarësimit.
Në BE ka energji të re për zgjerimin
Për procesin e zgjerimit foli edhe ambasadori austriak në Maqedoninë e Veriut, Martin Pamer, në një aktivitet të organizuar në Shtëpinë Evropiane në Shkup.
Pamer tha se aktualisht ekziston interes i shtuar në BE për zgjerimin drejt Ballkanit Perëndimor dhe se konferenca ministrore që do të mbahet më 27 shtator në Vjenë do të jetë një tjetër mundësi për nxitjen e proceseve reformuese.
„Ajo që është pozitive është se ka interes të veçantë për procesin e zgjerimit dhe, ndryshe nga më parë, sot flasim edhe për shtete konkrete që mund të bëhen anëtare të Unionit“, deklaroi Pamer.
Ai kujtoi se Maqedonia e Veriut po zbaton reformat e lidhura me Planin e Rritjes së BE-së, përmes të cilit vendit i janë dedikuar 140 milionë euro mbështetje.
Pamer theksoi gjithashtu rëndësinë e përfitimeve konkrete për qytetarët, përfshirë uljen graduale të kostove të roamingut mes vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian.
„Është e rëndësishme të ruhet ritmi, përkushtimi dhe qëndrueshmëria. Zgjerimi sërish është lart në agjendën evropiane dhe kjo është një lajm i mirë për Maqedoninë e Veriut“, tha ambasadori austriak./DW
Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



