Trump: S’ka gjë që paguani benzinë më shtrenjtë, lufta mundëson që Irani i keq të mos ketë armë bërthamore

Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se “kurrë nuk do të kërkojë falje” për ndërhyrjen ushtarake ndaj Iranit, duke mbrojtur vendimin e tij pavarësisht rritjes së çmimeve të karburantit në Shtetet e Bashkuara.
Gjatë një aktiviteti në Nassau County, New York, të premten, Trump u tha amerikanëve se çmimi më i lartë i benzinës është një kosto që duhet pranuar për të parandaluar Iranin të sigurojë armë bërthamore.
“Edhe nëse duhet të paguani pak më shumë për benzinën, kujtoni se po e bëni këtë që një vend shumë i keq të mos ketë armë bërthamore”, tha Trump.
Ai e mbrojti sërish vendimin për veprimet ushtarake ndaj Iranit dhe hodhi poshtë kritikat për ndikimin që konflikti ka pasur në çmimet e karburantit.
“Jeni në 4 dollarë. Është në rregull. Nuk do të kërkoj kurrë falje. Bëra gjënë e duhur”, deklaroi presidenti amerikan.
Sipas Reuters, çmimi mesatar i benzinës në SHBA ka arritur rreth 4.08 dollarë për gallon, rreth 29 për qind më shumë krahasuar me një vit më parë. Rritja lidhet me pasiguritë e shkaktuara nga konflikti dhe ndërprerjet e qarkullimit të naftës përmes Ngushticës së Hormuzit.
Trump, ndërkohë, vazhdon ta lidhë luftën me Iranin me objektivin për të penguar Teheranin të pajiset me armë bërthamore.
Gjatë të njëjtit aktivitet në New York, Trump bëri edhe një deklaratë tjetër të bujshme, duke thënë se pas përfundimit të konfliktit synon ta shpallë Ngushticën e Hormuzit territor të Shteteve të Bashkuara.
Tags:
Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



