Trump pezulloi ndihmën ushtarake për Ukrainën pas përplasjes me Zelenskyn

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, pezulloi gjithë ndihmën ushtarake për Ukrainën, pas përplasjes së tij me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, javën e kaluar në Zyrën Ovale, përcjell albinfo.ch. “Ne po e ndalojmë dhe shqyrtojmë ndihmën tonë, për t’u siguruar se ajo i kontribuon zgjidhjes”, tha një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë, duke folur […] The post Trump pezulloi ndihmën ushtarake për Ukrainën pas përplasjes me Zelenskyn appeared first on Albinfo.

Trump pezulloi ndihmën ushtarake për Ukrainën pas përplasjes me Zelenskyn

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, pezulloi gjithë ndihmën ushtarake për Ukrainën, pas përplasjes së tij me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, javën e kaluar në Zyrën Ovale, përcjell albinfo.ch.

“Ne po e ndalojmë dhe shqyrtojmë ndihmën tonë, për t’u siguruar se ajo i kontribuon zgjidhjes”, tha një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë, duke folur në kushte anonimiteti.

“Presidenti ka qenë i qartë se është i përqendruar në paqe. Ne kemi nevojë që partnerët tanë të përkushtohen ndaj këtij qëllimi”, tha zyrtari.

Bloomberg dhe Fox News raportojnë se pauza do të zgjasë derisa Trump të përcaktojë se udhëheqësit e vendit janë të përkushtuar – me besim të mirë – ndaj paqes.

“Kjo nuk është ndalesë e përhershme e ndihmës – është pauzë”, citoi Fox News një zyrtar të administratës Trump.

Sasia e saktë e ndihmës ushtarake që preket nga ky vendim, nuk është e qartë, por transferimi i armëve me vlerë 3.85 miliardë dollarë – i autorizuar nga Kongresi amerikan nën ish-presidentin Joe Biden – nuk është proceduar ende nga Shtëpia e Bardhë.

Ndonjë ndihmë e re ushtarake nuk është miratuar pasi Trump ka marrë detyrën në janar.

Kongresi amerikan ka miratuar vlerën e më shumë se 180 miliardë dollarëve ndihma për Ukrainën, prej se Rusia ka nisur pushtimin e saj në shkallë të plotë, në shkurt të vitit 2022.

“Pezullimi i ndihmës së SHBA-së, para së gjithash, mund t’i prekë raketat e mbrojtjes ajrore, municionet HIMARS dhe artilerinë”, shkroi ligjvënësi ukrainas, Oleksiy Honcharenko, në Telegram.

Demokratët e dënuan menjëherë vendimin për pezullimin e ndihmave, duke e cilësuar si të rrezikshëm dhe të paligjshëm.

“Kolegët e mi republikanë, të cilët e kanë quajtur [presidentin rus, Vladimir] Putin kriminel lufte dhe kanë premtuar mbështetjen e tyre të vazhdueshme për Ukrainën, duhet të bashkohen me mua dhe të kërkojnë që presidenti Trump të heqë dorë nga kjo ngrirje katastrofike dhe e paligjshme”, tha përfaqësuesi demokrat, Gregory Meeks.

Shtetet e Bashkuara, më herët, bënë trysni mbi Zelenskyn për t’u pajtuar me thirrjen e Uashingtonit për një marrëveshje që do t’u jepte fund luftimeve në Ukrainë, ndërkohë që udhëheqësit evropianë kërkuan një rol më të fortë në këtë qëllim.

Trump tha se durimi i tij është drejt fundit dhe kritikoi rezistencën e Zelenskyt ndaj perspektivës së një armëpushimi të shpejtë, pa garanci konkrete të sigurisë, që Kievi i kërkon nga Shtetet e Bashkuara.

Më 3 mars, Zelensky u citua të ketë thënë se fundi i luftës është “shumë, shumë larg”.

Trump shkroi në rrjetet sociale se “kjo është deklarata më e keqe që mund të ishte bërë nga Zelensky” dhe se “Amerika nuk do ta durojë për shumë kohë të gjatë”.

Ai shtoi se Zelensky “nuk do që të ketë paqe për aq kohë sa ka mbështetjen e Amerikës”.

Ky postim në platformën Truth Social lë të kuptohet se riparimi i lidhjeve me Shtëpinë e Bardhë – që udhëheqësit evropianë ia kërkuan Zelenskyt ta bënte – do të jetë një detyrë e vështirë pas përplasjes në Zyrën Ovale, më 28 shkurt.

Në atë takim, Trump dhe zëvendësi i tij, JD Vance, e qortuan ashpër Zelenskyn para gazetarëve.

Zelensky u largua nga Shtëpia e Bardhë pa nënshkruar marrëveshjen që do t’i jepte SHBA-së qasje në mineralet e rralla dhe burimet natyrore të Ukrainës, siç ishte e planifikuar.

Që nga ajo ditë, zyrtarët amerikanë i bënë thirrje Zelenskyt të kërkojë falje.

“Ajo që ne duhet të dëgjojmë nga presidenti Zelensky, është se ai ndihet i penduar për atë që ndodhi, se është i gatshëm ta nënshkruajë marrëveshjen për mineralet dhe se është gati të angazhohet në bisedimet për paqe”, tha këshilltari për siguri kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, Mike Waltz, për Fox News më 3 mars.

Zelensky “duhet të jetë më mirënjohës, sepse ky vend i ka qëndruar pranë”, u tha më vonë Trump gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë.

I pyetur nëse marrëveshja e mineraleve ka vdekur, Trump tha: “Jo, nuk mendoj kështu”.

Vance tha në një intervistë të transmetuar më 3 mars se, pavarësisht takimit të diskutueshëm në Zyrën Ovale, dera për ukrainasit mbetet e hapur.

“Kur ata të jenë të gatshëm të flasin për paqe, mendoj se presidenti Trump do të jetë personi i parë që do ta marrë telefonin”, tha Vance për Fox News.

The post Trump pezulloi ndihmën ushtarake për Ukrainën pas përplasjes me Zelenskyn appeared first on Albinfo.