Udhëtimi në Kosovë i hap sytë politikanit të SVP-së: “Kemi paragjykuar”

Një politikan i SVP-së së Aargaut viziton Kosovën, atdheun e një nëpunëseje bankare nga Gibstorfi. Tani ai do të promovojë bashkëpunimin mes dy vendeve The post Udhëtimi në Kosovë i hap sytë politikanit të SVP-së: “Kemi paragjykuar” appeared first on Albinfo.

Udhëtimi në Kosovë i hap sytë politikanit të SVP-së: “Kemi paragjykuar”

Një rrëfim me nota optimiste që flet për shembjen e paragjykimeve dhe “hapjen e syve” të një politikani zviceran kundrejt realitetit në Kosovë, që pikërisht partia e tij shpeshherë e kishte “nxirë” me shpërndarjen e të pavërtetave rreth këtij realiteti.

Politikani i SVP nga Aargau Christoph Perrin e kishte përgëzuar punonjësen bankare Arbnora Mayer nga Gibstorf AG për guximin e saj për t’u bërë e pavarur. Kjo pastah krijoi një marrëdhënie të veçantë mes anëtarit 54-vjeçar të bordit të SVP-së nga Badeni dhe 35-vjeçares kosovare, transmeton albinfo.ch.
Pas disa bisedave dhe takimeve, të dy zbarkuan së bashku në Kosovë, tetorin e kaluar.

Shembja e paragjykimeve

Politikani i SVP-së dhe kosovarja kanë treguar për “Aargauer Zeitung” se si i kanë lënë anash paragjykimet e tyre. Kosovarët e kanë të vështirë raportin, sidomos me SVP-në. Siç dihet, në vitin 2011, një reklamë e SVP-së për iniciativën popullore kundër imigrimit masiv thoshte: “Kosovarët po i therin zviceranët!”. Kjo çoi në një dënim të disa krerëve të kësaj partie për  veprën penale diskriminim racor.

Kur kosovarja Mayer merr vesh se Perrin i përket SVP-së, ajo e pyet: “A të lejohet të flasësh me mua?”

Ajo qe befasuar madje me vetë faktin që ai e kishte kontaktuar. Si një e huaj, kosovare dhe muslimane, ajo mishëron “gjithçka që partia e tij refuzon”.

Pas diskutimeve dhe takimeve, Mayer fton Perrin në atdheun e saj, në Kosovë . “Në mënyrë që ai të mund të krijojë idenë e tij në vend”, shpjegon Mayer.

Politikani i SVP-së merr pjesë në udhëtimin për në Kamenicë – në lindje të vendit dhe afër Serbisë – dhe më pas thotë: “Kisha një imazh të gabuar për kosovarët dhe Arbnora më dha mundësinë ta rishikoja”.

Në Kosovë, politikani i SVP-së përjeton një mikpritje të madhe. “Ngrohtësia me të cilën u prita nga familja e Arbnorës ishte e pabesueshme”, thotë Perrin.

“Në Kosovë nuk më lanë të paguaja asgjë”

Si mysafir, ai asnjëherë nuk u lejua të paguante asgjë – një traditë kjo, e vendit. “Unë nuk isha i kënaqur me këtë në fillim, veçanërisht sepse gjithçka atje është kaq e lirë për standardet tona.”

Peizazhi i gjelbër dhe kodrinor i Kosovës i kujton Perrinit Zvicrën. Ajo që bie në sy për të është trajtimi me respekt ndaj njëri-tjetrit dhe të rinjtë e shumtë që flasin rrjedhshëm gjermanisht dhe anglisht.

“Pothuajse nuk e vura re se isha në një vend mysliman. Unë rrallë kam parë atje ndonjë grua me shami. Xhamitë dhe kishat ekzistojnë krah për krah”, thotë ai në “AZ”.

“Udhëtoni atje dhe shikoni vetë se çfarë ka për të ofruar Kosova. Paragjykimet prishen kur e sheh realitetin me sytë e tu”, vazhdon Perrin.

“Është e rëndësishme që ai të ketë këto ide pikërisht aty ku nevojitet ndryshimi (në SVP)”

Çfarë mëson politikani nga Aargau: Sjellja e atyre kosovarëve që bien në sy për sjellje negative në Zvicër nuk pritet mirë as në vendlindjen e tyre.

Politikani Perrin tregon mirëkuptim: “Për mua është e rëndësishme të theksoj se vetëm një pjesë e vogël e kosovarëve në Zvicër sillen keq. Falë Arbnorës takova shumë që janë sipërmarrës të suksesshëm, punojnë shumë dhe pasurojnë vendin tonë.”

“Nëse i ndihmojmë, ata qëndrojnë në atdheun e tyre”

Anëtari i SVP-së tani dëshiron që edhe Zvicra të jetë në gjendje të ndihmojë Kosovën, këtë vend që është në ndërtim e sipër.

“Nëse i ndihmojmë, ata qëndrojnë në atdheun e tyre”, thotë Perrin. “SVP dëshiron që Zvicra të mos jetë e mbipopulluar. Në vend që të mbështetemi në ndalime dhe rregullore, ne duhet të investojmë në zgjidhje reale.”

Vetëm ushtrimi i presionit nuk është i mjaftueshëm, thotë Arbnora. Në vend të kësaj,duhet ndihmuar njerëzit. Perrin shpreson se përvoja e tij nga Kosova mund të ndihmojë në sjelljen e ndryshimit në partinë e tij.

Arbnora Mayer është e kënaqur që sidomos një anëtar i SVP-së ka plane të tilla, edhe nëse ndoshta do të pritej më mirë në një parti tjetër, përcjell albinfo.ch. “Është e rëndësishme që ai të ketë këto ide pikërisht aty ku nevojitet ndryshimi (në SVP)”.

Deri më tani, të dy kanë marrë reagime të ndryshme, siç tregon Perrin: “Disa anëtarë të SVP-së po tregojnë interes, të tjerë ende po qeshin me ne”.

The post Udhëtimi në Kosovë i hap sytë politikanit të SVP-së: “Kemi paragjykuar” appeared first on Albinfo.