Ukraina e akuzon Rusinë për “krim lufte” pas sulmit në spital ushtarak

Kievi e ka akuzuar Moskën të dielën se ka kryer “krim lufte” pasi dronët rusë goditën një spital ushtarak në Harkiv, qytetin e dytë më të madh të Ukrainës, gjatë një vale sulmesh të natës që gjithashtu goditën një qendër tregtare, ndërtesa banimi dhe shënjestra të tjera, duke vrarë të paktën dy njerëz, sipas autoriteteve. [...]Read More...

Ukraina e akuzon Rusinë për “krim lufte” pas sulmit në spital ushtarak

Kievi e ka akuzuar Moskën të dielën se ka kryer “krim lufte” pasi dronët rusë goditën një spital ushtarak në Harkiv, qytetin e dytë më të madh të Ukrainës, gjatë një vale sulmesh të natës që gjithashtu goditën një qendër tregtare, ndërtesa banimi dhe shënjestra të tjera, duke vrarë të paktën dy njerëz, sipas autoriteteve.

Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë së Ukrainës e akuzoi Rusinë për “shkelje të normave të së drejtës humanitare ndërkombëtare” në këtë sulm, të cilin e dënoi si “bombardim të qëllimshëm dhe të synuar”.

Në mesin e viktimave janë edhe ushtarakë që po mjekoheshin në qendrën mjekësore, sipas tyre.

Një orë para sulmit në Harkiv, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha se Kievi pret reagim të fortë nga vendet perëndimore ndaj sulmeve pothuajse të përditshme të Rusisë në territorin e tij.

“Partnerët tanë duhet ta kuptojnë qartë: Këto sulme nuk janë vetëm sulme ndaj civilëve ukrainas, por edhe ndaj të gjitha përpjekjeve ndërkombëtare – ndaj vetë diplomacisë që po përpiqemi të përdorim për t’i dhënë fund kësaj lufte”, tha Zelensky në fjalimin e tij të përnatshëm me video.

Përveç sulmeve në Harkiv, autoritetet ukrainase thanë se Rusia shkrepi një raketë balistike dhe lëshoi dronë si pjesë e një breshërie sulmesh që goditën gjithashtu qytetet Dnipro, Krivi Rih dhe Poltava.