Vazhdimi i seancës/ A i ka numrat VV? Flasin deputetët e VV-së dhe të minoriteteve joserbe
Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës ka dështuar të përmbyllet të martën, pasi nuk është miratuar raporti i Komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandateve të deputetëve. Raporti mori vetëm 52 vota pro, duke pamundësuar vazhdimin e procesit për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit. Lëvizja Vetëvendosje akuzoi opozitën, në bashkëpunim me Listën Serbe, për bllokim

Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës ka dështuar të përmbyllet të martën, pasi nuk është miratuar raporti i Komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandateve të deputetëve.
Raporti mori vetëm 52 vota pro, duke pamundësuar vazhdimin e procesit për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.
Lëvizja Vetëvendosje akuzoi opozitën, në bashkëpunim me Listën Serbe, për bllokim të qëllimshëm të seancës, ndërsa partitë opozitare i kanë bërë thirrje Albin Kurti dhe kabinetit të tij që të japin dorëheqje, në mënyrë që të hapet rruga për votimin e raportit dhe vijimin e procedurave kushtetuese.
Në anën tjetër, pas rastit të paprecedentë, kryesuesi i seancës së sotme, Avni Dehari ka kërkuar një letër rekomandimi nga Presidentja Vjosa Osmani, për të i treguar hapat tutje.
Deputeti i VV-së: Jemi në përpjekje e sipër për t’i siguruar numrat e nevojshëm për ta bërë Qeverinë
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Arbër Rexhaj, për FrontOnline ka folur pas dështimit të seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, duke theksuar se partia e tij është në proces aktiv për të siguruar numrat e nevojshëm për formimin e Qeverisë së re. Sipas tij, kjo do të ndodhë patjetër dhe pa asnjë dilemë.
“LVV është në përpjekje e sipër për t’i siguruar numrat e nevojshëm për ta bërë Qeverinë. Që do t’i sigurojë, nuk kam asnjë dilemë,” deklaroi Rexhaj.
Ai kritikoi ashpër opozitën dhe Listën Serbe për mos votimin e raportit të Komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandateve të deputetëve, një hap procedural i domosdoshëm për funksionalizimin e Kuvendit.
“Sa i përket mos votimit të verifikimit të mandateve, kjo po ndodhë për herë të parë. Opozita së bashku me Listën Serbe kanë vepruar në formë jo institucionale, duke bllokuar funksionimin e Kuvendit,” u shpreh Rexhaj për FrontOnline, duke shtuar se një veprim i tillë është në kundërshtim me frymën demokratike dhe përfaqësimin legjitim.
Sipas tij, duke votuar kundër raportit që përfshin edhe verifikimin e vetë mandateve të tyre, deputetët opozitarë i kanë kthyer shpinën vullnetit të qytetarëve të Kosovës.
“Rrjedhimisht, kanë votuar kundër mandateve të tyre, e që nënkupton se kanë votuar kundër vullnetit të qytetarëve,” përfundoi ai.
Hyseni tregon tri arsyet e dështimit: Dorëheqja e munguar e Kurtit, mungesa e numrave dhe kontaktet e VV-së me Listën Serbe janë arsye pse dështoi seanca
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Ekrem Hyseni, për FrontOnline ka renditur disa nga arsyet që, sipas tij, çuan në këtë situatë.
Ai tha se mungesa e dorëheqjes së kryeministrit Albin Kurti dhe kabinetit të tij është një ndër pengesat kryesore për ecurinë e procesit.
“Njëra nga arsyet e dështimit të seancës së sotme është dorëhejqa, jo dorëheqje e Kurtit dhe kabinetit qeveritar,” u shpreh Hyseni.
Sipas tij, arsyeja e dytë është se Vetëvendosje nuk ka numrat e mjaftueshëm për të çuar përpara procesin e konstituimit të Kuvendit dhe zgjedhjen e institucioneve të reja.
“Kanë funksionu me 52 numra dhe janë larg asaj që me e votu kryeparlamentarin dhe Qeverinë,” tha ai për FrontOnline
Për më tepër, Hyseni akuzoi Vetëvendosjen për kontakte të fshehta me Listën Serbe, duke iu referuar mesazheve të publikuara më herët gjatë ditës.
“E treta është kontakti i VV me Listën Serbe, i keni parë mesazhet e publikuara sot,” deklaroi ai.
Emilja Rexhepi: Ka vota për formimin e institucioneve, por nuk kishte deputetë në sallë
Deputetja boshnjake Emilja Rexhepi për FrontOnline ka komentuar dështimin e seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, duke theksuar se problemi nuk qëndron tek mungesa e votave, por tek mungesa fizike e deputetëve në sallë.
Sipas saj, votat ekzistojnë, mirëpo prania e pamjaftueshme e deputetëve e ka pamundësuar përparimin e procedurave parlamentare.
“Ka vota. Në sallë nuk kishte deputetë,” deklaroi shkurt Rexhepi për FrontOnline, duke lënë të kuptohet se mungesa e koordinimit mes grupeve parlamentare dhe qëndrimet politike po pengojnë formimin e institucioneve të reja.
Rexhepi ka folur edhe për rolin e Presidentes në situatën aktuale, duke thënë se pret që seanca të vazhdoj brenda 48 orëve.‘’Presidentja kur e thirrë, besoj brenda 48 orëve’’ tha deputetja Rexhepi
Deputeti nga komuniteti ashkali: Qëndrimi ynë nuk ka ndryshuar – Nuk e di a i ka votat VV, vazhdimi i seancës varet nga Presidentja
Deputeti nga komuniteti ashkali, Arton Asllani, për FrontOnline ka deklaruar se grupi që ai përfaqëson nuk ka ndryshuar qëndrim lidhur me procesin e konstituimit të Kuvendit të Kosovës dhe votimin e Qeverisë.
Asllani theksoi se janë në pritje të zhvillimeve të mëtejshme dhe se përgjegjësia për vazhdimin e procesit nuk qëndron tek ata.
“Jemi në të njëjtën vijë, nuk kemi ndryshuar qëndrim,” tha Asllani
Ai shtoi se nuk mund të japë një përgjigje të saktë nëse Lëvizja Vetëvendosje i ka apo jo votat për të formuar qeverinë.
“Nuk e di a i ka votat VV, s’kam përgjigje për këtë,” shtoi ai për FrontOnline
Asllani bëri të ditur se janë në pritje që të votohet fillimisht kryetari dhe nënkryetarët e Kuvendit, për të kaluar më pas në hapat e tjerë institucionalë.
“Presim me u votu kryetari, nënkryetarët, pastaj për hapat tjerë ju njoftojmë edhe juve,” theksoi ai.
Ai gjithashtu potencoi se vazhdimi i seancës nuk varet nga komuniteti që përfaqëson, por nga veprimet e Presidentes.
“Nuk varet nga ne vazhdimi i seancës, varet nga përgjigja e Presidentes,” përfundoi Asllani për FrontOnline.