Vdekja e Papa Françeskut, si zgjidhet pasardhësi i tij

Krerët e shumicës së departamenteve të Vatikanit japin dorëheqjen derisa papa i ri t'i konfirmojë ose zëvendësojë ata The post Vdekja e Papa Françeskut, si zgjidhet pasardhësi i tij appeared first on Albinfo.

Vdekja e Papa Françeskut, si zgjidhet pasardhësi i tij

Me vdekjen e Papa Françeskut, Kisha Katolike do të fillojë ritualet e detajuara tradicionale që shënojnë fundin e një papati dhe fillimin e një tjetri.

Shumica e tyre drejtohen nga një kushtetutë e njohur si Universi Dominici Gregis, e miratuar nga Papa Gjon Pali II në vitin 1996 dhe e rishikuar nga Papa Benedikti XVI në vitet 2007 dhe 2013.

Një kardinal i njohur si kamerleng, aktualisht irlandezo-amerikani Kevin Farrell, do të drejtojë punimet e zakonshme të Kishës Katolike Romake me gati 1.4 miliardë anëtarë gjatë periudhës së njohur si “sede vacante” (karrige bosh).

Ai konfirmon zyrtarisht vdekjen e Papës, një çështje e thjeshtë në ditët e sotme, që përfshin një mjek dhe një certifikatë vdekjeje. Deri në shekullin e 20-të, kjo bëhej duke trokitur një çekiç argjendi në ballin e papës tre herë. Kamerlengu dhe tre asistentë sigurohen që “Unaza e Peshkatarit” e papës dhe vula e tij të jenë të thyera, në mënyrë që të mos përdoren nga askush tjetër. Nuk kryhet autopsi në trupin e tij.

Krerët e shumicës së departamenteve të Vatikanit japin dorëheqjen derisa papa i ri t’i konfirmojë ose zëvendësojë ata, shkruan Scan, transmeton albinfo.ch.

Ritet e zisë zgjasin nëntë ditë, me datën e funeralit dhe varrimit që do të vendoset nga kardinalët. Papa Françesku, i cili shmangu shumë nga privilegjet e udhëheqjes së Kishës Katolike globale, modifikoi dhe thjeshtoi ritet e varrimit të papës në vitin 2024.

Mesha e varrimit pritet të mbahet ende në Sheshin e Shën Pjetrit, por ndryshe nga shumë paraardhës, Françesku kërkoi të varrosej në Bazilikën e Shën Marisë së Madhe të Romës për të qenë pranë ikonës së tij të preferuar.

Françesku gjithashtu kërkoi të varrosej në një arkivol të thjeshtë prej druri, ndryshe nga paraardhësit që u varrosën në tre arkivole të ndërthurura prej selvie, plumbi dhe lisi. Ai kërkoi që trupi i tij të mos ekspozohej mbi një platformë të ngritur, ose katafalk, në Bazilikën e Shën Pjetrit, që ta shihnin vizitorët e Romës, siç ndodhte me papët e mëparshëm.

KONKLAVA

Kardinalët nga e gjithë bota mblidhen në Romë pas vdekjes së një pape. Ata mbajnë takime të përditshme të njohura si kongregacione të përgjithshme për të diskutuar çështjet e Kishës dhe për të paraqitur karakteristikat që secili beson se duhet të ketë papa i ri. Kardinalët e moshës 80 vjeç e lart mund të marrin pjesë në konklavat e përgjithshme, por nuk lejohen të hyjnë në konklavë për të zgjedhur Papën e ardhshëm.

Tradicionalisht, një periudhë zie prej 15 ditësh mbahet përpara se të fillojë një konklavë. Përpara se të jepte dorëheqjen në vitin 2013, Papa Benedikti modifikoi kushtetutën për të lejuar që ajo të fillonte më shpejt nëse kardinalët do të donin, ose maksimumi 20 ditë pas vdekjes nëse disa prej tyre hasin vështirësi për të shkuar në Romë.

Konklava mbahet në Kapelën Sistine. Fjala “konklavë” vjen nga latinishtja, që do të thotë “me çelës”. Ajo rrjedh nga një traditë që filloi në shekullin XIII, ku kardinalët mbylleshin brenda, një formë për t’i nxitur të vendosnin sa më shpejt dhe të kufizonin ndërhyrjet e jashtme.

Këto ditë pjesëmarrësve u ndalohet çdo komunikim me botën e jashtme. Telefonat, interneti dhe gazetat nuk lejohen dhe policia e Vatikanit përdor aparate elektronike për të siguruar zbatimin e rregullave.

Për zgjedhje, nevojitet një shumicë prej dy të tretash plus një. Nëse askush nuk zgjidhet pas 13 ditësh, mbahet një balotazh midis dy kandidatëve kryesorë, por ende nevojitet një shumicë prej dy të tretash plus një. Kjo synon të promovojë unitetin dhe të dekurajojë zgjedhjen e kandidatëve me kompromis.

Kur konklava zgjedh Papën, ai pyetet nëse pranon dhe cilin emër dëshiron të marrë. Nëse refuzon, procedura fillon nga e para.

The post Vdekja e Papa Françeskut, si zgjidhet pasardhësi i tij appeared first on Albinfo.