Ndërron jetë në moshën 89-vjeçare José Mujica, ‘presidenti më i varfër’ në botë

Ish-presidenti i Uruguait, José Mujica ndërroi jetë këtë të mërkurë në moshën 89-vjeçare. Lajmi u bë i ditur nga presidenti aktual i vendit, Yamandú Orsi, i cili përmes një postimi në rrjetin social X, shkroi: “Faleminderit për gjithçka që na dhe për dashurinë tënde të thellë për popullin.” Mujica, një nga figurat më të veçanta [...]Read More...

Ndërron jetë në moshën 89-vjeçare José Mujica, ‘presidenti më i varfër’ në botë

Ish-presidenti i Uruguait, José Mujica ndërroi jetë këtë të mërkurë në moshën 89-vjeçare.

Lajmi u bë i ditur nga presidenti aktual i vendit, Yamandú Orsi, i cili përmes një postimi në rrjetin social X, shkroi: “Faleminderit për gjithçka që na dhe për dashurinë tënde të thellë për popullin.” Mujica, një nga figurat më të veçanta të politikës ndërkombëtare, vuante prej kohësh nga kanceri në ezofag.

I njohur si “presidenti më i varfër në botë”, Mujica do të kujtohet jo vetëm për reformat e guximshme që ndërmori, por edhe për mënyrën e pazakontë se si zgjodhi të jetonte gjatë dhe pas presidencës së tij. Ai refuzoi të jetonte në rezidencën zyrtare të presidentit dhe qëndroi në një shtëpi të vogël në periferi të Montevideos, ku jetonte me bashkëshorten e tij. Ai ngiste një makinë  të vjetër dhe dhuronte pjesën më të madhe të pagës së tij për bamirësi. “Nuk jam i varfër. I varfër është ai që ka nevojë për shumë gjëra,” kishte thënë ai në një intervistë në vitin 2012.

Por historia e Mujicës shkon shumë më thellë sesa imazhi i një presidenti të thjeshtë. Në rininë e tij, ai ishte pjesë e lëvizjes guerilase marksiste “Tupamaros”, e cila në vitet ’60 dhe ’70 organizonte aksione të armatosura kundër qeverisë së atëhershme të Uruguait, e cila akuzohej për represion ndaj të majtës. Ai u plagos rëndë gjatë një përplasjeje me policinë dhe u arrestua disa herë.

Mujica kaloi mbi 14 vite në burg, shpesh në kushte ekstreme izolimi, ku sipas tij, përjetoi edhe halucinacione dhe filloi të fliste me insektet për të ruajtur shëndetin mendor. Ai e cilësonte ditën e lirimit të tij në vitin 1985 si momentin më të lumtur të jetës – më shumë se dita kur u bë president.

Pas lirimit nga burgu, Mujica hyri në politikën parlamentare. U zgjodh deputet dhe më pas senator, duke përfaqësuar koalicionin e majtë Frente Amplio. Në vitin 2005 u emërua ministër i Bujqësisë dhe Pesë vite më vonë, në 2010, u zgjodh president i vendit në moshën 74-vjeçare.

Gjatë qeverisjes së tij, vendi përjetoi rritje ekonomike me një mesatare vjetore prej mbi 5%, ulje të ndjeshme të varfërisë dhe papunësisë, si dhe miratimin e ligjeve historike që legalizuan abortin, martesat mes të njëjtit seks dhe përdorimin e kontrolluar të marihuanës – duke e bërë Uruguain shtetin e parë në botë që ndërmerrte një hap të tillë.

Edhe pse shumëkush e konsideronte si një figurë jashtë klasës tradicionale politike, Mujica kishte një lidhje të thellë me politikën. Ai shpesh thoshte se pasionin për politikën dhe për librat ia kishte trashëguar nga nëna e tij. Në skenën ndërkombëtare ai u bë simbol i një të majte ndryshe – modest, i sinqertë dhe larg luksit që shpesh shoqëron pushtetin.

Pas largimit nga presidenca në vitin 2015, Mujica vazhdoi të qëndronte aktiv si senator dhe si një zë moral në politikën kombëtare e ndërkombëtare. Në vitin 2020, ai vendosi të largohej përfundimisht nga politika aktive për shkak të moshës dhe problemeve shëndetësore, por mbeti një figurë shumë e dashur dhe e respektuar në vendin e tij dhe përtej kufijve.

Në një intervistë të fundit për BBC në nëntor të vitit të kaluar, Mujica u shpreh: “Njeriu e di që vdekja është e pashmangshme. Ndoshta është si kripa e jetës.” Me këtë filozofi jetese, ai pranoi se donte që fundi i jetës se tij të vinte me qetësi dhe pa dramë.