Ku po vendosen amerikanët që shpërngulen në Zvicër? Këto kantone janë më të preferuarat

Ku po vendosen amerikanët që shpërngulen në Zvicër? Këto kantone janë më të preferuarat

Gjatë vitit 2025, 2,425 shtetas amerikanë u bënë banorë të përhershëm në Zvicër, sipas të dhënave të Sekretariatit Shtetëror për Migracion (SEM), të cituara nga “The Local”, transmeton albinfo.ch.

Shifra është më e ulët se numri i përgjithshëm i lejeve të para të qëndrimit të regjistruara nga Eurostat. Sipas këtyre të dhënave, 4,583 shtetas amerikanë morën për herë të parë leje qëndrimi në Zvicër në vitin 2025, por kjo kategori përfshin edhe leje për qëndrime më të shkurtra, me vlefshmëri prej të paktën tre muajsh.

Cyrihu në vendin e parë

Nga 2,425 amerikanët që u bënë banorë të përhershëm, numri më i madh u vendos në kantonin e Cyrihut – 667 persona.

Cyrihu është një nga qendrat kryesore financiare dhe ekonomike të Zvicrës, me prani të madhe të kompanive ndërkombëtare dhe institucioneve akademike.

Në vendin e dytë renditet Vaud, ku u vendosën 436 shtetas amerikanë, ndërsa Gjeneva ishte destinacioni i tretë me 361 persona.

Pas tyre vijnë Bazeli me 158 dhe Zug me 125 shtetas amerikanë. Edhe Berna dhe Ticino shënuan shifra të konsiderueshme, me përkatësisht 120 dhe 113 amerikanë që u bënë banorë të përhershëm gjatë vitit 2025.

Pse po shpërngulen në Zvicër?

Arsyeja kryesore nuk është puna, por familja.

Nga amerikanët që u bënë banorë të përhershëm gjatë vitit 2025, 1,184 erdhën për arsye familjare.

Grupi i dytë më i madh përbëhej nga 662 persona që erdhën për arsim ose trajnim, ndërsa rreth 480 amerikanë erdhën për punësim në kuadër të sistemit të kuotave që Zvicra aplikon për shtetasit nga vendet jashtë BE-së dhe EFTA-s.

The post Ku po vendosen amerikanët që shpërngulen në Zvicër? Këto kantone janë më të preferuarat appeared first on Albinfo.


Burimi i lajmit: albinfo.ch
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.