Vendosja e tarifave nga Donald Trump/ Sondazhet: 73% e amerikanëve presin rritje të çmimeve
Shumica e amerikanëve po përgatiten për çmime më të larta në një gamë të gjerë mallrash të konsumit pas njoftimit të presidentit Donald Trump për të vendosur tarifa të reja gjithëpërfshirëse ndaj importeve nga pjesa më e madhe e botës, thuhet në një sondazh të Ipsos, shkruan agjencia e lajmeve “Reuters”. Sondazhi treditor, zbuloi se [...]Read More...

Shumica e amerikanëve po përgatiten për çmime më të larta në një gamë të gjerë mallrash të konsumit pas njoftimit të presidentit Donald Trump për të vendosur tarifa të reja gjithëpërfshirëse ndaj importeve nga pjesa më e madhe e botës, thuhet në një sondazh të Ipsos, shkruan agjencia e lajmeve “Reuters”.
Sondazhi treditor, zbuloi se 73% e të anketuarve mendonin se çmimet në gjashtë muajt e ardhshëm do të rriteshin për artikujt që blejnë çdo ditë – pasi tarifat e reja të hynin në fuqi pothuajse ndaj të gjitha importeve.
Vetëm 4% e të anketuarve mendonin se çmimet do të binin dhe pjesa tjetër nuk priste asnjë ndryshim ose nuk i ishin përgjigjur pyetjes. Njoftimi i Trump javën e kaluar për rritjen më të madhe të tarifave të SHBA-së ndër dekada tronditi “Wall Street” pasi shumë ekonomistë parashikuan se ato do të shkaktonin rritjen e çmimeve dhe një recesion në SHBA dhe në pjesën tjetër të botës.
Rreth 57% e të anketuarve në sondazh – duke përfshirë një të katërtën e të anketuarve nga Partia Republikane e Trump – kundërshtuan tarifat e reja, të cilat përfshijnë tarifa prej të paktën 10% për importet nga pothuajse çdo vend.
Rreth 39% e të anketuarve mbështetën tarifat e reja dhe 52% thanë se ishin dakord me argumentin e administratës Trump, se vendet e tjera kishin përfituar nga SHBA-ja kur bëhej fjalë për tregtinë ndërkombëtare.
Trump, shpesh e ka përmendur këtë pikëpamje, si një arsye për të vendosur barriera të reja tregtare – duke thënë se ato do të nxisin një bum në prodhimin e SHBA-së.
Ndërsa 44% e të anketuarve thanë se nuk ishin dakord me këtë pikëpamje. Amerikanët janë ndarë kryesisht sipas linjave partiake – lidhur me vendimin për tarifa më të larta ndaj importeve.
Gjysma e të anketuarve , duke përfshirë pothuajse të gjithë republikanët thanë se ishin dakord me deklaratën se çdo “dhimbje” ekonomike afatshkurtër ia vlente për ta bërë SHBA-në më të fortë në terma afatgjatë”.
Gjysma tjetër duke përfshirë pothuajse të gjithë demokratët nuk ishin dakord. Sondazhi, i cili u krye në internet dhe në mbarë vendin anketoi 1027 të rritur amerikanë.