Vengu: Marrëveshja me Kroacinë e Kosovën, e hapur edhe për vende të tjera
Ministri i Mbrojtjes së Shqipërisë, Pirro Vengu, deklaroi sot se marrëveshja për bashkëpunim në fushën e sigurisë dhe të mbrojtjes që u firmos mes Shqipërisë, Kosovës dhe Kroacisë në Tiranë është një aleancë e natyrshme midis tre vendeve që përballen me kërcënime të ngjashme për sigurinë e tyre. Ministri Vengu theksoi se “nisma nuk është

Ministri i Mbrojtjes së Shqipërisë, Pirro Vengu, deklaroi sot se marrëveshja për bashkëpunim në fushën e sigurisë dhe të mbrojtjes që u firmos mes Shqipërisë, Kosovës dhe Kroacisë në Tiranë është një aleancë e natyrshme midis tre vendeve që përballen me kërcënime të ngjashme për sigurinë e tyre.
Ministri Vengu theksoi se “nisma nuk është aspak e diskutueshme, por është një aleancë trepalëshe krejt e natyrshme”.
“Fillimisht është artikuluar para një viti në tryeza të përbashkëta rajonale të stafeve të ministrive të Mbrojtjes dhe nga paraardhësi im me paraadhësin kroat. E rishtruar në Ministerialin e fundit që patëm në NATO në fillim të këtij viti, ku pata një takim me homologun kroat dhe konsultime të përbashkëta me homologun kosovar. Erdhi shumë natyrshëm, si rezultat i leximit të njëmend të kërcënimeve që i kanosen rajonit nga pikëpamja e sigurisë dhe mbrojtjes, ndërhyrjeve të palëve të treta në rajon, kërcënimet hibride, nga pikëpamja kibernetike, nga pikëpamje e influencimit dhe dezinformimit në debatet tona publike. Pra një sërë elementesh që i lexojmë njësoj”, tha Vengu.
Në vijim, ministri i Mbrojtjes theksoi se një nga pikat e marrëveshjes trepalëshe është mbështetja e palëkundur e Shqipërisë dhe Kroacisë për ecurinë e Kosovës në nismat rajonale.
“E dyta, ne e mbështesim Kosovën si dy vende aleate, anëtare të NATO-s. Kosova është e njohur nga Kroacia dhe për ne përbën një përparësi nga pikëpamja e sigurisë kombëtare dhe e politikës sonë të jashtme dhe sa herë na jepet mundësia ta mbështesim Kosovën në tryeza rajone, të cilat janë paradhomat e anëtarësimit në BE dhe NATO, ne e bëjmë në mënyrë të vazhdueshme. Dhe një nga pikat e marrëveshjes trilaterale është mbështetja e palëkundur e Kroacisë dhe Shqipërisë për ecurinë e Kosovës në këto nisma rajonale, siç është Karta e Adriatikut, e cila është efektivisht paradhoma e një vendi para se të anëtarësohet në NATO”, deklaroi Vengu.
Ndërkohë, Vengu theksoi se “ne e konsiderojmë se garancia kryesore e sigurisë në Kosovë është misioni i NATO-s, KFOR”.
“Ne nuk kemi ndërtuar një bashkëpunim kundër një pale tjetër. Ky është bashkëpunim mes tre vendeve sovrane. Për pasojë ne nuk kemi pse konsultohemi me palë që nuk janë pjesë e kësaj marrëveshjeje. Kjo nuk do të thotë që ne nuk informojmë aleatët tanë apo partnerët tanë strategjikë për përmbajtjen e kësaj marrëveshje që në krye të herës. Dhe kjo nuk nënkupton se ne nuk informojmë dhe aktorë të tjerë që duhet të jenë të informuar për qëllimet e kësaj marrëveshje”, u shpreh Vengu.
Në përfundim, Vengu sqaroi se marrëveshja me Kosovën dhe Kroacinë është marrëveshje e hapur dhe jo e mbyllur vetëm për tre shtete, ndaj ka diskutime dhe konsultime me të tjera vende për t’u bërë pjesë e saj.
Vengu theksoi se u është bërë thirrje edhe vendeve të tjera në rajon t’i bashkohen kësaj iniciative.
“Ne synojmë pse jo të kemi edhe anëtarë të tjerë, me të cilët kemi konsultime, qoftë anëtarë aktualë të BE-së dhe të NATO-s, të cilët kanë një këndvështrim të njëmend sa i përket rreziqeve të sigurisë dhe mbrojtjes në Evropën Juglindore”, tha Vengu./ATSH