Jo çdo veturë e prindërve bën për të mësuar vozitjen: Pengesa që po hasin të rinjtë në Zvicër

Jo çdo veturë e prindërve bën për të mësuar vozitjen: Pengesa që po hasin të rinjtë në Zvicër

Mësimi i vozitjes me veturën e prindërve po bëhet gjithnjë e më i vështirë në Zvicër. Shkaku është zëvendësimi i frenit tradicional të dorës me frenin elektrik të parkimit, vendosja dhe funksionimi i të cilit mund të mos i përmbushin kërkesat për ushtrime private, raporton 20 Minuten, transmeton albinfo.ch.

Sipas rregullave të cituara në artikull, personi që shoqëron kandidatin duhet të mund ta arrijë lehtë të paktën frenin e dorës. Në shumë modele moderne, butoni ndodhet në të majtë të timonit, jashtë mundësisë së ndërhyrjes nga ulësja e pasagjerit. Gjithashtu, frenimi emergjent nuk duhet të mund të ndërpritet duke shtypur pedalin e gazit.

Një analizë e revistës “Streetlife” tregon se 75 për qind e markave të përfaqësuara në Zvicër aktualisht nuk ofrojnë asnjë model që i plotëson këto kërkesa. Vetëm 11 për qind kanë modele plotësisht të përshtatshme, ndërsa te 14 për qind të tjera bëjnë përjashtim vetëm një deri në tri modele. Këto përqindje u referohen markave, jo numrit të veturave në qarkullim.

Thomas Rücker, nga shoqata e importuesve Auto-Schweiz, thotë se autoritetet janë njoftuar prej vitesh për problemin. Sipas tij, është kundërthënëse që kandidatët të detyrohen të përdorin teknologji më të vjetër, ndërkohë që njohja e sistemeve moderne të asistencës është pjesë e përgatitjes për patentë.

Deputeti i SVP-së, Mike Egger, kërkon shqyrtimin e dispozitës për ta përshtatur me teknologjinë aktuale. Auto-Schweiz po kërkon gjithashtu një rishikim të koordinuar të rregullave, në kuadër të ndryshimeve teknike të planifikuara për vitin 2028.

Për momentin, bëhet fjalë për kërkesa për ndryshim të rregullave, jo për një lehtësim tashmë të miratuar.

 

The post Jo çdo veturë e prindërve bën për të mësuar vozitjen: Pengesa që po hasin të rinjtë në Zvicër appeared first on Albinfo.


Burimi i lajmit: albinfo.ch
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.