Vuçiq: Shefi i Ushtrisë së Serbisë dhe komandanti i KFOR-it patën bisedën më të keqe deri më tani

Vuçiq: Shefi i Ushtrisë së Serbisë dhe komandanti i KFOR-it patën bisedën më të keqe deri më tani

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka reaguar pas takimit të shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Serbisë, Milan Mojsiloviq, me komandantin e KFOR-it, gjeneralmajorin Özkan Ulutaş, lidhur me procesin e paralajmëruar të tërheqjes graduale të pjesëtarëve të KFOR-it nga ura kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë.

Vuçiq tha se biseda mes Mojsiloviqit dhe Ulutaş ishte “ndoshta më e keqja deri tani”, duke kundërshtuar qëndrimin e komandantit të KFOR-it se procesi i ndryshimit të prezencës në urën mbi Ibër është pjesë e një procesi gradual të optimizimit të misionit.

“Komandanti i KFOR-it i tha Mojsiloviqit se nuk ka problem dhe se Policia e Kosovës do t’i kryejë të gjitha këto së bashku me KFOR-in”, deklaroi Vuçiq, raporton N1.

Ai e kritikoi ashpër këtë qëndrim, duke thënë se tashmë “e dinë me kë kanë punë”.

“Vërtet, nuk ka problem? Mirë atëherë, tani e shohim pse i keni bërë të gjitha ato në vitin 1999. I kuptojmë të gjitha. Nga ky këndvështrim, të paktën e dimë me kë kemi punë. Vetëm mos u shtirni më se jeni për ndonjë dialog, sepse nuk jeni për dialog”, tha presidenti serb.


Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.