VV-ja e pranon që s`i ka numrat, opozita ia rikonfirmon vijat e kuqe: A mund të shkojë vendi në zgjedhje serish?
Pas takimit të partive politike për seancën përgatitore të 15 prillit, subjekte politike kanë rikonfirmuar qëndrimet e tyre. Lëvizja Vetëvendosje për herë të parë e ka pranuar nuk mund të formojë qeverinë e re vetëm me minoritet jo serbe, kurse opozita ka bërë me dije se për këtë çështje nuk do të bashkëpunojë me partinë
Pas takimit të partive politike për seancën përgatitore të 15 prillit, subjekte politike kanë rikonfirmuar qëndrimet e tyre. Lëvizja Vetëvendosje për herë të parë e ka pranuar nuk mund të formojë qeverinë e re vetëm me minoritet jo serbe, kurse opozita ka bërë me dije se për këtë çështje nuk do të bashkëpunojë me partinë e Albin Kurtit.
Partia në pushtet dje e ka ngritur flamurin e bardhë. Numri dy i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, ka bërë me dije se qeveria e re nuk mund të formohet pa bërë koalicion me ndonjërën prej partive opozitare.
Pas takimit që ka pasur me përfaqësuesit e partive politike, në cilësinë e ish-kryetarit të Kuvendit, Konjufca ka theksuar se kjo parti në zgjedhjet e 9 shkurtit nuk e ka arritur synimin e saj.
“Vetëvendosja e ka pas pozicionin transparent gjatë zgjedhjeve. Kemi thënë se qëllimi im ka qenë me vazhdu një qeverisje siç e kemi, mundësisht pa partitë tjera opozitare e pastaj e merr rezultatin e zgjedhjeve edhe e sheh që nuk e ke mbërri atë qëllim. Kjo është demokracia. E ke pas një qëllim dhe nuk ke mbërritur atë. E pastaj e modifikon rrugës. S’është mëkat kjo demokraci. E vendos një qëllim – nuk e kemi arritur. S’i kemi arritur qëllimet dhe tash jemi në skenarin B. Është rasti më normal i mundshëm”, ka thënë Konjufca.
Ai ka vlerësuar se skenari A i LVV-së tani nuk është i mundshëm.
“Kemi thënë qëllimi është ta bëjmë të vetëm qeverinë. A është e mundshme kjo? Mua nuk po më duket e mundshme”, është shprehur ai.
Sipas tij, një koalicion është i pashmangshëm.
“Kur jemi te qeveria është e pamundshme pa e themelu një koalicion, që krijon mazhorancën e aftë me 61 vota, për ta themeluar qeverinë e ri. Unë do ta kisha futur këtu edhe kryetarin e Kuvendit, i nënshtrohen këtij principi”, ka thënë Konjufca.
Opozita rikonfirmon vijat e kuqe për VV-nëPavarësisht shtrirjes se dorës së bashkëpunimit nga VV-ja, partitë opozitare i kanë thënë “jo” bashkëpunimit me VV-në.
LDK-ja dje i është përgjigjur edhe zyrtarisht letrës së Albin Kurtit për takim konsultativ me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku.
Ky i fundit, ka bërë me dije se një takim i tillë nuk është i mundshme.
Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka treguar arsyet se pse bashkëpunimi LDK – LVV nuk mund të realizohet.
“Duket se fjalët e thëna e bindjet e ushqyera në vijimësi, nuk kanë peshë njëjtë për të gjithë. Sepse, pavarësisht të gjithë gjërave të thëna, të bëra e stërbëra, dje kam pranuar një letër nga Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, z. Kurti, për takim konsultativ mes nesh. Sado që unë dhe LDK nuk udhëhiqemi nga inati; sado që ne besojmë në dialog, bashkëpunim e komunikim njerëzor e politik; një takim i tillë – madje edhe konsultativ – do të ishte kapërcim fatal i dinjitetit njerëzor dhe politik. Mes ‘hajvanatit’, ‘mbytjes së LDK-së’, ‘bashkëpunëtorëve të Serbisë’, mes moçalit të madh të pështymave ndaj nesh – unë, LDK dhe votuesit tanë – nuk e gjejmë veten as për konsultim. Sepse fjalët, si edhe bindjet, kanë peshë”, ka shkruar Abdixhiku.
Ai ka theksuar se LDK-ja do të iu mbetet besnike fjalëve të dhënë në fushatë.
“Fjalët e thëna ndaj nesh kanë peshë. Dhe fjalët tona – ato që u kemi dhënë qytetarëve tanë, atyre që nuk joshen nga spektakli i përçarjes por që besojnë se shteti ndërtohet me respekt e dinjitet – kanë peshën e fjalës së dhënë. Peshën e besës. Besë do të ketë! Le të jetë kjo përgjigje e qartë edhe për të tjerët që së fundi, duke marrë peshën që nuk u takon, kanë tentuar t’i tregojnë LDK-së se çfarë duhet të bëjë. LDK – për ta kuptuar mirë – u qëndron besnike vendimeve, bindjeve dhe fjalëve të thëna para fushatës, gjatë fushatës dhe pas fushatës. Ndaj të gjithëve – njësoj”, ka vlerësuar ai.
Edhe nënkryetari i PDK-së, Uran Ismaili, ka kundërshtuar qëndrimin e VV-së se kryeministri i ardhshëm do të jetë Albin Kurti.
Pas takimit që partitë politike kanë pasur me ish-kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca, ai ka thënë se kryeministri i ardhshëm do të jetë ai që i bën 61 vota.
Ai është shprehur optimist se qeverinë e re do ta formojnë partitë opozitare.
“Unë dëgjova ma herët që po thuhet që dihet emri i kryeministrit, në realitet emrin e kryeministrit e dinë 61 vota. Këtu përfundon”, ka thënë Ismaili.
Kurse, Sekretari i Përgjithsme i AAK-së, Muharrem Nitaj, ka vlerësuar se procesi i formimit të qeverisë po duket i komplikuar.
Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se rruga për krijimin e qeverisë së re mund të hapet me konstituimin e Kuvendit.
“Tejet i komplikuar procesi i krijimit të qeverisë. Deri me tani nuk ka shenja se VV i ka siguruar numrat e nevojshëm për krijimin e qeverisë. Gjithçka mbetet e hapur për opozitën, e cila si e bashkuar, e ka shumicën, sado që formulë njëkohësisht e komplikuar edhe kjo. Duket që edhe konstituimi i Kuvendit do të jetë një veprim, poashtu i komplikuar. Në mbledhjen e sotme me Kryetarin e Kuvendit, u tha se sipas rregullores, Kuvendi konsiderohet i konstatuar, pasi që të zgjedhen Kryetari dhe pesë nënkryetarët, përfshirë edhe dy nënkryetarët nga radhët e pakicës serbe dhe komuniteteve të tjera jo shumicë”, ka shkruar ai, duke shtuar se VV-ja po dëshiron të dergojë vendin në zgjedhje të reja.
“Sipas kësaj logjike, është e mundur që konstituimi i Kuvendit, të jetë në dorën e Listës Serbe! Krejt po duket se dikush po punon që të bëhët llugë e vendi të shkojë prap në zgjedhje!”, ka shkruar ai.
Shqetësimet e Nitajt ka konfirmuar anëtarja e kryesisë së VV-së, Albulena Haxhiu.
Pas takimit me partitë politike, ajo e ka kërcënuar opozitën me zgjedhje të reja, duke thënë se vendi ka vetëm dy alternativa.
“Ajo që dihet është se kryeministri i ardhshëm do të jetë Albin Kurti, dhe se qeveria shumë shpejt do të votohet. Qeverinë mund ta bëjë VV-ja, por nuk mendoj se mundet opozita si e vetme. Prandaj, ose e bëjmë qeverinë ne, ose shkojmë në zgjedhje. Jemi të interesuar ta bëjmë qeverinë, dhe besoj se qeveria do të bëhet.”, ka thënë Albulena Haxhiu.