Kica-Xhelili për Bekim Sejdiun: Kisha dyshime pse Kurti e pranoi

Kica-Xhelili për Bekim Sejdiun: Kisha dyshime pse Kurti e pranoi

Deputetja e LDK-së, Doarsa Kisa-Xhelili ka dalë me një pozicion të vet rreth çështjes së emrin të presidentit që u tha të jetë kandidat dy-partiak.

Ajo tha se qysh në fillim kishte “dyshimet” e veta se pse Albin Kurti i Vetëvendosjes e pranoi atë, dhe shtoi se “e dinte saktësisht se ky emër mund të shkakonte atë që e shkaktoi në LDK.”

Kica-Xhelili tha se partia LDK është bërë “tmerrësisht e lehtësisht të lexueshëm nga Kurti.”

Postimi i plotë:

“Kam zgjedhur të mos flas deri më sot për zhvillimet e fundit në LDK. Jo nga mungesa e qëndrimit, por sepse kam besuar se, para se dallimet tona t’i çojmë para publikut, ia kemi borxh njëri-tjetrit t’i diskutojmë brenda shtëpisë sonë politike.

Tani, megjithatë, dua t’i them disa gjëra qartë.

Nuk dua një LDK të ndarë mes “atyre të kryetarit” dhe “atyre të gjashtë deputetëve”. Nuk kam hyrë në LDK për të zgjedhur kampe brenda saj. Kam hyrë sepse besoj në një parti ku institucioni është më i rëndësishëm se individi, ku debati nuk është tradhti dhe ku shumica ka të drejtë të udhëheqë, por pakica ka të drejtë të mos heshtë.

Nuk besoj në një LDK ku pajtueshmëria me një vendim është kusht për integritet politik. Mund të mos pajtohem me kolegët e mi, madje edhe për çështje shumë të rëndësishme, pa vënë në dyshim as motivet, as kontributin, as vendin e tyre në LDK.

Po aq, mund ta mbështes një vendim të kryetarit pa e konsideruar të pagabueshëm atë apo cilindo prej nesh.

Në politikë duhet të dimë ta bëjmë dallimin mes mospajtimit dhe armiqësisë. Nëse LDK nuk është mjaftueshëm e fortë për të përballuar gjashtë vota ndryshe, atëherë problemi ynë është shumë më i madh se gjashtë vota.

Për Bekim Sejdiun kisha një vlerësim të qartë. E konsideroj profesionist dhe me integritet. Mospajtimet që janë krijuar rreth procesit nuk e ndryshojnë këtë vlerësim timin. Sidoqoftë, sikurse e shpreha në mbledhjen e grupit, kisha dyshimet e mia pse Kurti u pajtua për këtë kandidaturë.

Mendoj që tashmë u bë e qartë pse. Jo se ai e donte këtë kandidaturë, por me gjasë, e dinte saktësisht se ky emër mund të shkaktonte atë qe e shkaktoi në LDK. E mëkati ynë më i madh mund të jetë se duke mos e tejkaluar vetveten, u bëmë tmerrësisht e lehtësisht të lexueshëm nga ai.

E ndjej që ky është çmimi që do ta paguajmë gjatë.

Por dua të jem po aq e qartë edhe për diçka tjetër: një marrëveshje për të nxjerrë vendin nga kriza institucionale nuk mund dhe nuk duhet të shndërrohet në amnisti politike për mënyrën se si kemi ardhur deri këtu.

Afatet kushtetuese nuk janë elastike. Ato nuk mund të respektohen kur na përshtaten dhe të riinterpretohen sa herë që politika ka nevojë për disa ditë më shumë.

Afati kushtetues për konstituimin e Kuvendit përfundoi më 7 gusht. Pasi ky afat u tejkalua, Vetëvendosje ndërtoi një interpretim tjetër, sipas të cilit afati përfundonte më 6 shtator. Për hir të procesit, “paqartësitë” e paguximshme që rrodhën nga vendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese, vendosëm t’i trajtonim sikurse i kishte lënë gjykata: të paqarta rreth pasojave juridike, me theks në domosdoshmërinë e funksionalizimit të institucioneve.

Por sot, edhe ai afat i “paqartë” është tejkaluar, ndërsa seanca është thirrur për 9 shtator.

Këtu nuk kemi më vetëm një interpretim “elastik” të Kushtetutës. Kemi diçka edhe më problematike: mosrespektimin madje edhe të kufirit që vetë e ke zgjedhur pasi ke tejkaluar kufirin kushtetues.

Është vështirë të kërkosh seriozitet institucional nga të tjerët kur as rregullit që e ke përcaktuar vetë nuk i përmbahesh. Kjo nuk është më çështje interpretimi juridik. Është çështje e raportit që pushteti zgjedh të ketë me kufijtë që ia vendos Kushtetuta.Këtë e kam konsideruar të gabuar dje dhe e konsideroj të gabuar edhe sot. Asnjë marrëveshje politike nuk ma ndryshon këtë bindje.

Dallimet e mia me Albin Kurtin janë politike, institucionale dhe, në shumë raste, thellësisht e besa thelbësisht parimore. Ato nuk zhduken sepse në një moment të caktuar ekziston nevoja për një marrëveshje që i jep vendit institucione. Por, njësoj, kundërshtimi ndaj Albin Kurtit nuk mund të bëhet arsye që Kosova të mbetet pa institucione vetëm për t’ia pamundësuar atij një rezultat politik.

Për mua këto dy gjëra nuk e përjashtojnë njëra-tjetrën: mund ta kundërshtosh pushtetin kur cenon rregullat dhe, njëkohësisht, të marrësh përgjegjësi kur vendi ka nevojë për zgjidhje.

Dhe kjo është edhe mënyra si e shoh LDK-në sot.

Askush prej nesh nuk është më i madh se LDK-ja.Dhe LDK-ja nuk është më e madhe se Republika.”

The post Kica-Xhelili për Bekim Sejdiun: Kisha dyshime pse Kurti e pranoi appeared first on InfoShqip.com.


Burimi i lajmit: infoshqip.com
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.