Burim Latifi në takimin ministror të CESEC-ut në Zagreb, prezanton projektet strategjike të MEPSO-s

Burim Latifi në takimin ministror të CESEC-ut në Zagreb, prezanton projektet strategjike të MEPSO-s

Drejtori i Sh.A. MEPSO, Burim Latifi, ka marrë pjesë në takimin ministror të CESEC-ut, të mbajtur në Zagreb, ku në fokus ishte ndërlidhja rajonale energjetike dhe siguria e furnizimit me energji elektrike.

Së bashku me ministren e Energjetikës, Sanja Bozhinovska, Latifi ka prezantuar projektet strategjike të MEPSO-s për forcimin e rrjetit të transmetimit dhe rritjen e kapaciteteve për shkëmbimin e energjisë elektrike me vendet fqinje.

Ndër projektet kryesore të prezantuara janë interkoneksioni 400 kV Manastir–Ohër–Elbasan dhe lidhja e planifikuar Tetovë–Prizren, të cilat synojnë të rrisin kapacitetet ndërkufitare dhe të përmirësojnë ndërlidhjen energjetike me Shqipërinë dhe Kosovën.

Latifi ka veçuar edhe investimin në reaktorin prej 150 MVAr në nënstacionin e Dubrovës, i cili pritet të mundësojë kontroll më të mirë të tensionit dhe funksionim më stabil të sistemit elektroenergjetik.

Në këtë takim, sipas Latifit, është theksuar gjithashtu rëndësia e interkoneksionit të ri me Bullgarinë dhe rritja e kapaciteteve të transmetimit drejt Greqisë.

“Qëllimi ynë është i qartë: nga planifikimi drejt realizimit”, ka theksuar Latifi, duke nënvizuar se investimet në rrjetin energjetik synojnë t’u përgjigjen nevojave të qytetarëve dhe ekonomisë, si dhe të kontribuojnë në sigurinë e furnizimit me energji elektrike.


Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.