“Yesteryear” nga Caro Claire Burke, influenceret dhe jeta ideale

“Yesteryear” nga Caro Claire Burke, influenceret dhe jeta ideale

Të njëzetat e mia dhe studimet i kam kaluar në një kohë kur libra si “Bossypants” nga Tina Fey dhe “Lean In” nga Sheryl Sandberg ishin aktuale dhe na jepnin kurajë të bëheshim të pavarura, të studionim, të ishim ambicioze dhe të flisnim me vetëbesim. Gratë duhej të ishin pjesë e tryezave ku merreshin vendimet e rëndësishme dhe bëheshin marrëveshjet e biznesit; e aty ku deri atëherë nuk kishte vend për ne, duhej ta krijonim vetë hapësirën, ta sillnim karrigen dhe t’i përvisheshim punës.

Në atë kohë influencoheshim edhe nga këngë si “Run the World (Girls)” e Beyoncé-s dhe “Girl on Fire” e Alicia Keys-it, mesazhi i të cilave ishte që gratë ta njihnin fuqinë e tyre dhe të ndiqnin një jetë, kushtet e së cilës i përcaktonin vetë. Sepse, fundja, “ne e udhëheqim botën”.

Dhjetë vjet më vonë, në një bisedë të rëndomtë me studentet e mia, të cilat po përfundonin studimet bachelor, ato më treguan se një nga synimet e tyre ishte të gjenin një burrë, të punonin më pak dhe të bëheshin më shumë “gra të denja shtëpie”, sepse pikërisht këtu, në universitete prestigjioze, gjenden edhe burrat e zotë, me perspektivë dhe me gjasa për një të ardhme të mirë ekonomike. Në fjalët e tyre kishte njëfarë toni ironik, por megjithatë mbeta e tronditur. Kisha menduar se, si shoqëri, i kishim lënë pas këto ide.

Pastaj ato më prezantuan me influenceret e ndryshme, të ashtuquajturat “trad-wives”, gra që promovojnë dhe imitojnë role tradicionale gjinore, ku burri është siguruesi kryesor ekonomik i familjes, ndërsa gruaja merr një rol më të nënshtruar, duke i dhënë përparësi rritjes së fëmijëve dhe mirëmbajtjes së shtëpisë. Një trend i ri, i ardhur nga një kohë arkaike.

Pikërisht këtë paradoks, ku këto influencere promovojnë një rol të tillë, ndërkohë që vetë janë tashmë afariste me një karrier të bujshme dhe me miliona ndjekës në rrjetet sociale, e kap në mënyrë fantastike “Yesteryear”, libri debutues i Caro Claire Burke.

Libri, i publikuar këtë vit, tashmë është adaptuar edhe për film, me Anne Hathaway si producente dhe protagoniste. Vëmendja e madhe që po merrte e bëri të vështirë ta anashkaloja. Por, sapo fillova ta lexoja, u mahnita edhe nga zëri i autores dhe nga analizat e mprehta që ajo u bën konstrukteve shoqërore, famës dhe suksesit. Ai përcjell shumë qartë idenë se jeta perfekte që shohim në rrjetet sociale rrallëherë përkon me realitetin. Me një humor të jashtëzakonshëm, shkrimtarja përshkruan zgjedhjet me të cilat ballafaqohen gratë dhe çmimin që duhet ta paguajnë për secilën zgjedhje që bëjnë. Ajo nuk lë anash as përplasjet e herëpashershme me manosferën dhe idetë bizare që qarkullojnë brenda saj.

Personazhi kryesor i librit, Natalie Heller Mills, është një influencere 32-vjeçare e tipit “trad-wife”, e martuar dhe nënë e pesë fëmijëve, në pritje të të gjashtit. Është pikërisht lloji i gruas që shohim shpesh në TikTok dhe Instagram, duke na treguar neve të tjerave se si duket një jetë “perfekte”: një familje me fëmijë të sjellshëm dhe të dashur, një bashkëshort mbështetës të cilit ajo pretendon se i “bindet”, dhe një grua plotësisht e përmbushur.

Por prapa skenave fshihet një realitet krejt tjetër në fermën e kësaj familjeje. Ka fermerë, dado dhe ndihmës të tjerë që ua lehtësojnë përditshmërinë dhe e bëjnë këtë mënyrë jetese të duket pothuajse përrallore. Ndërkohë, fëmijët nuk janë gjithmonë të sjellshëm, bashkëshorti e tradhton, ndërsa lumturia duket si një koncept që Natalie, përtej versionit virtual që e shet si pjesë të brendit të saj, ende nuk e ka kuptuar plotësisht.

Megjithatë, ajo vazhdon të qëndrojë mbi piedestalin e saj moral, duke gjykuar gratë feministe e karrieriste, ato që punojnë me një orar të gjatë, vendosin të kenë fëmijë në fund të të tridhjetave dhe kalojnë një pjesë bukur të madhe të jetës duke u munduar t’i balancojnë të dyja.

Për ta nxjerrë më qartë në pah këtë kontradiktë, shkrimtarja na sjell një kthesë që na vë një buzëqeshje djallëzore në fytyrë: influencerja perfekte zgjohet në vitin 1885, në një jetë që i ngjan pikërisht asaj që ajo predikon, por kësaj radhe pa komoditetin, sigurinë dhe privilegjet që ia ofron shoqëria moderne.

Caro Claire Burke arrin t’i paraqesë në mënyrë brilante këto perspektiva të ndryshme, duke kaluar nga njëra periudhë në tjetrën dhe duke na shtyrë të reflektojmë mbi atë që rrjetet sociale na ushqejnë çdo ditë, por edhe mbi çmimin që vjen me secilën rrugë që zgjedhim në jetë.

Në fund, çfarë do të thotë në të vërtetë për një grua “t’i ketë të gjitha”? Dhe a i duam vërtet “të gjitha” ashtu siç na i servon shoqëria?

Kritikë letrare e shkruar nga Prite Bytyçi

The post “Yesteryear” nga Caro Claire Burke, influenceret dhe jeta ideale appeared first on Albinfo.


Burimi i lajmit: albinfo.ch
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.