Zbulohet pllaka përkujtimore për civilët shqiptarë të vrarë pas Luftës së Dytë Botërore
Pllaka përkujtimore për civilët shqiptarë të pushkatuar në Prishtinë nga ish-forcat komuniste jugosllave, në pesëvjeçarin e parë pas Luftës së Dytë Botërore, u zbulua sot në rrugën “Dëshmorët e Kombit”. Zbulimin e pllakës përkujtimore e bëri kryetari i Prishtinës, Përparim Rama bashkë me disa familjarë të viktimave. I pari i kryeqytetit, Përparim Rama, tha se

Pllaka përkujtimore për civilët shqiptarë të pushkatuar në Prishtinë nga ish-forcat komuniste jugosllave, në pesëvjeçarin e parë pas Luftës së Dytë Botërore, u zbulua sot në rrugën “Dëshmorët e Kombit”.
Zbulimin e pllakës përkujtimore e bëri kryetari i Prishtinës, Përparim Rama bashkë me disa familjarë të viktimave.
I pari i kryeqytetit, Përparim Rama, tha se vendi ku u vendos pllaka përkujtimore është një pikë e dhimbshme e historisë së qytetit, e njohur si “Strelishte”, që siç tha ai nënkupton vendpushkatim.
Ai theksoi se ky emër nuk duhet dhe nuk mund të harrohet, sepse aty u pushkatuan mijëra shqiptarë nga administrata ushtarake jugosllave pas Luftës së Dytë Botërore.
Rama u shpreh se shumë prej viktimave u zhdukën pa gjurmë, u varrosën në vende të panjohura dhe ende sot nuk dihen të gjitha emrat apo vendndodhjet e trupave të tyre.
“Është kjo një pikë e qytetit tonë, ku vetë toka flet. Flet me kujtesën e saj. Prishtina e ka njohur këtë vend me një emër të kobshëm: Strelishte – që përkthehet: vendpushkatim. Dhe ky emër, ndonëse i tmerrshëm, nuk duhet e nuk mund të harrohet. Pas Luftës së Dytë Botërore, që mbaroi me vija të reja përmbi harta, terrori vazhdoi mbi njerëzit. U vendos “administrimi ushtarak jugosllav” dhe me të erdhën qelitë e mbushura me patriotë shqiptarë dhe pushkatimet pa gjyq. Pikërisht në këtë vend. Këtu u rrëmbye fryma e mijëra shqiptarëve. Shumë u zhdukën pa gjurmë, u varrosën diku pa emër. Shumë emra nuk i dimë ende, e shumë trupa nuk u gjetën kurrë”, tha Rama.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, kujtoi ngjarjen e 31 gushtit 1947, kur në Taukbahçe u pushkatuan Gjon Serreçi, Ukë Sadiku, Ajet Gërguri dhe Osman Bunjaku.
Ai tha se këta emra sot janë pishtarë të kujtesës dhe se ky vend mbetet simbol i dhimbjes, kujtesës e dinjitetit.
Rama pranoi se pllaka përkujtimore është vendosur shumë vonë dhe se nuk mund të mbyllë plagët e familjeve, as të kthejë të dashurit e humbur, por sipas tij, ka një domethënie të madhe sepse “i jep zë tokës që flet”.
“Në Prishtinën e atyre viteve, historia e shënoi edhe 31 gushtin e vitit 1947, një natë e errët, por me emra që mbetën të pashlyeshëm, si dritë në terr: Gjon Serreçi, Ukë Sadiku, Ajet Gërguri, Osman Bunjaku. Ata u nxorën pa zbardhë agimi dhe u pushkatuan këtu, në Taukbahçe. Mandej, trupat ua hodhën në një varr të përbashkët. Sot, këta emra janë pishtarë të kujtesës. E ky është vend i dhimbjes, i kujtesës, po edhe i dinjitetit. E dimë se kjo pllakë përkujtimore vjen shumë e vonuar. Duhet të ishte vendosur këtu nja dy dekada më parë. Dhe e dimë mirë se ajo, edhe sot që po e shpalosim, nuk do t’i mbyllë plagët. Nuk do të kthejë gjyshër, prindër, vëllezër. Nuk do të tregojë ku janë varret që nuk dihen. Por, do të bëjë një gjë të madhe: do t’i jep zë kësaj toke që flet”, potencoi Rama.
80 vjeçarja Padishahe Islami, mbesa e njërit nga civilët shqiptarë të vrarë në këtë kohë, u shpreh e lumtur që u zbulua kjo plakë përkujtimore sa ajo është gjallë.
Ajo e përshkroi dajën e saj, Shyqri Begu si një njeri patriot e human.
“Daja im ka qenë kryetar i Endeshesë për Shqipërinë etnike , kanë luftuar për Shqipëri të madhe. Ka qenë një patriot i madh…Kam dëgjuar se ka qenë një njëri human, që ka ndihmuar shumë, Shyqri Begu…Në Lidhjen e Dytë të Prizrenit ka marrë pjesë. Ka ndihmuar edhe me bursa për nxënës të mirë në atë kohë. Shumë kënaqësi që nuk vdiqa pa e përjetuar (zbulimin e pllakës përkujtimore)”, tha Islami.
Ndërkaq, Dardan Islami familjar i Shyqri Begut tha se edhe pas kaq vjetësh, shtrat e mbi 500 vitktimave ende nuk janë gjetur.
“Pushkatimi në atë kohë dhe vuajtjet e shqiptarëve janë normale. Nuk është diçka e re. Por, problemi i këtij rasti, specifika e këtij rasti është se eshtrat dhe varret e këtyre 508 njerëzve nuk janë gjetur asnjëherë. Familjarët e tyre për 80 vjet, derisa komunistët vrasësit kanë gëzuar privilegje, ne nuk kemi mundur të dimë as për eshtrat. Të paktën sot e kemi një memorial për t’i kujtuar”, tha Islami.