OVL-UÇK, Zelenskyt: Deklarata juaj anti-Kosovë shpërfaq profesionin tuaj para se të bëheshit president

OVL-UÇK, Zelenskyt: Deklarata juaj anti-Kosovë shpërfaq profesionin tuaj para se të bëheshit president

Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK) ka reaguar ndaj deklaratës së presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, gjatë vizitës së tij në Serbi, se qëndrimi i Ukrainës për mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës mbetet i pandryshuar.

Në reagiminnë Facebook, OVL-UÇK e ka kritikuar drejtpërdrejt Zelenskyn, duke e cilësuar deklaratën e tij si “anti-Kosovë”.

“Z. Zelenski, deklarata juaj anti-Kosovë në Beograd, shpërfaq profesionin tuaj para se të bëheshe president!”, thuhet në reagimin e OVL-UÇK-së, transmeton Klankosova.tv.

Organizata u është referuar më pas zhvillimeve historike dhe politike që lidhen me luftën në Kosovë dhe shpalljen e pavarësisë, duke i kërkuar presidentit ukrainas të marrë parasysh, sipas tyre, rrethanat në të cilat u çlirua Kosova.

“Për informacionin tuaj, lexo në vijim ngjarjet që demantojnë deklaratën tuaj, e që janë mbështetur nga të gjitha shtetet që po mbështesin përpjekjet tuaja për t’i dhënë fund pushtimit rus:

1) Pas luftës së zhvilluar në vitet 1998–1999 dhe rezistencës së popullit të Kosovës, vendi u çlirua nga sundimi dhe regjimi opresiv i Serbisë.

2) Bota demokratike, e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe partnerët e NATO-s, ndërhyri ushtarakisht në pranverën e vitit 1999 për të ndalur spastrimin etnik dhe gjenocidin e ndërmarrë nga forcat serbe.

3) Më 17 shkurt 2008, Kosova shpalli zyrtarisht pavarësinë e saj. Deri më sot, pavarësia e Republikës së Kosovës është njohur nga 121 shtete anëtare të OKB-së.

4) Legjitimiteti i pavarësisë u konfirmua nga organet më të larta të drejtësisë globale. Më 22 korrik 2010, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) në Hagë dha mendimin këshillimor ku konstatoi se Deklarata e Pavarësisë së Kosovës nuk ka shkelur të drejtën e përgjithshme ndërkombëtare, Rezolutën 1244, e as Kornizën Kushtetuese”, thuhet nga Organizata e Veteranëve të Luftës./Klankosova.tv

 

 


Burimi i lajmit: klankosova.tv
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.