Zëvendës presidenti amerikan viziton Meksikën/ JD Vance: Forcat amerikane nuk kanë në plan të pushtojnë Meksikën
Nënpresidenti amerikan, JD Vance, udhëhoqi një grup të lartë zyrtarësh në një vizitë në kufirin SHBA-Meksikë, ku theksoi mbështetje për politikat e emigracionit të administratës Trump, duke siguruar amerikanët se ushtria amerikane nuk ka ndërmend të pushtojë Meksikën. Gjatë vizitës në pikën e kalimit kufitar “Eagle Pass” në Teksas, Vance vuri theksin në politikën e [...]Read More...

Nënpresidenti amerikan, JD Vance, udhëhoqi një grup të lartë zyrtarësh në një vizitë në kufirin SHBA-Meksikë, ku theksoi mbështetje për politikat e emigracionit të administratës Trump, duke siguruar amerikanët se ushtria amerikane nuk ka ndërmend të pushtojë Meksikën. Gjatë vizitës në pikën e kalimit kufitar “Eagle Pass” në Teksas, Vance vuri theksin në politikën e fortë të emigracionit të Presidentit Trump, e cila përfshin deportimin e shpejtë të emigrantëve që kanë hyrë ilegalisht në SHBA dhe përdorimin e ushtrisë për të mbajtur kontrollin mbi kufirin.
Vizita erdhi pas fjalimit të parë të Presidentit Trump para Kongresit, ku ai e përshkroi planin për deportimin e emigrantëve si një veprim të nevojshëm për sigurinë kombëtare. Vance theksoi gjithashtu vendimin e administratës për të cilësuar kartelet e drogës si organizata terroriste, një hap që, sipas tij, do të mundësojë përdorimin e plotë të resurseve ushtarake për mbrojtjen e kufirit.
Gjatë vizitës, Drejtoresha e Zbulimit Kombëtar, Tulsi Gabbard, e mbështeti qëndrimin se objektivi kryesor i administratës është siguria e qytetarëve amerikanë, ndërsa Sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth, theksoi se siguria e kufirit është një çështje kombëtare dhe se ushtria mund të ofrojë mbështetje të rëndësishme për Patrullën Kufitare, duke ofruar resurse të tjera si pajisje dhe aftësi për planifikim.
Në anën tjetër, aktivistët pro-emigrantë kritikuan politikat e administratës Trump, duke thënë se ato nuk po e bëjnë Amerikën më të sigurt dhe se po krijojnë kosto të larta për qytetarët. Vanessa Cardenas, drejtoresha ekzekutive e organizatës “America’s Voice”, theksoi se emigracioni është një çështje komplekse dhe se Kongresi duhet të kalojë një reformë të plotë të politikave të emigracionit për të pasur një qasje më të qëndrueshme që lidhet me interesat dhe vlerat e SHBA-së.
/ abcnews.al