Tre zjarrfikës të lënduar në zjarrin e madh në Shafhauzen, dëgjohen edhe shpërthime

Tre zjarrfikës janë lënduar gjatë ndërhyrjes për shuarjen e një zjarri të madh që përfshiu një ndërtesë në rrugën Fulachstrasse, në Shafhauzen të Zvicrës. Policia ka konfirmuar gjithashtu se gjatë incidentit janë dëgjuar disa shpërthime.
Tre pjesëtarë të shërbimit zjarrfikës kanë pësuar lëndime gjatë operacionit, ndërsa ekipet e emergjencës kanë arritur ta vënë zjarrin nën kontroll rreth orës 21:30.
Zjarri shpërtheu të hënën në mbrëmje në një ndërtesë pranë stacionit të trenit në Shafhauzen. Flakët u ngritën disa metra mbi objekt, ndërsa tymi dhe sirenat e automjeteve të emergjencës alarmuan banorët e zonës.
Dëshmitarët kanë raportuar për disa shpërthime gjatë zjarrit. Një video e siguruar nga mediumi zviceran Blick tregon momentin e një shpërthimi, pas të cilit një flakë e fuqishme shpërthen në drejtim të qiellit.
“Ka pasur dy shpërthime brenda dy minutash”, kanë deklaruar dëshmitarët.
Sipas informacioneve fillestare, zjarri mund të ketë nisur në një objekt që përdorej si hambar, ndërsa pranë tij ndodhet edhe një garazh. Për shkak të situatës, banorëve të zonës u është kërkuar t’i mbajnë dritaret të mbyllura.
Policia e Shafhauzenit ka konfirmuar se operacioni për shuarjen e zjarrit është zhvilluar me forca të shumta. Shkaku i zjarrit dhe rrethanat e shpërthimeve ende nuk janë bërë të ditura. Hetimet po vazhdojnë/albinfo.ch/
The post Tre zjarrfikës të lënduar në zjarrin e madh në Shafhauzen, dëgjohen edhe shpërthime appeared first on Albinfo.
Burimi i lajmit: albinfo.ch
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



