Zurich Film Festival vijon sonte me natën e dytë, në qendër edhe kinemaja shqiptare

Zurich Film Festival vijon sonte me natën e dytë, në qendër edhe kinemaja shqiptare

Zurich Film Festival (ZFF) vazhdon sot, më 25 shtator, me natën e dytë të edicionit të 22-të, i cili po mbahet në Cyrih nga 24 shtatori deri më 4 tetor 2026. Festivali sjell në qytet produksione të reja ndërkombëtare, regjisorë, aktorë dhe profesionistë të industrisë së filmit, ndërsa programi përfshin gara ndërkombëtare, premiera dhe aktivitete të ndryshme profesionale, transmeton albinfo.ch. 

Edicioni i sivjetmë u hap të enjten, më 24 shtator, në një mbrëmje të përmasave të mëdha, ku morën pjesë më shumë se 1,000 figura nga bota e kulturës, biznesit, politikës dhe shoqërisë. Filmi që hapi festivalin ishte “Tenzing”, i cili pati premierën evropiane në prani të aktorëve Tom Hiddleston dhe Willem Dafoe, si dhe regjisores Jennifer Peedom.

Programi i natës së dytë vazhdon me shfaqje filmash dhe aktivitete të ndryshme. Ndër ngjarjet e ditës së sotme është edhe ZFF Masters me Willem Dafoe, i planifikuar për orën 13:00 në Arena Cinemas Sihlcity, ku aktori amerikan do të flasë për karrierën dhe punën e tij në kinematografi.

Një tjetër aktivitet i rëndësishëm që nis sot është edhe Zurich Summit, konferenca profesionale e industrisë së filmit, e cila zhvillohet nga 25 deri më 27 shtator në The Dolder Grand dhe mbledh drejtues, producentë dhe profesionistë të njohur të industrisë ndërkombëtare të filmit.

“DUA” e Blerta Bashollit në garën ndërkombëtare

Në kuadër të këtij edicioni, vëmendje të veçantë për publikun shqiptar pritet të ketë filmi “DUA”, me regji të regjisores kosovare Blerta Basholli. Filmi është përzgjedhur në International Feature Film Competition, një prej dy garave kryesore të festivalit, ku këtë vit konkurrojnë 14 filma artistikë nga vende të ndryshme të botës, transmeton tutje albinfo.ch.

“DUA”, një bashkëprodhim Kosovë–Zvicër–Francë, zhvillohet në Prishtinë në fund të viteve ’90. Në qendër të historisë është Dua, një vajzë 13-vjeçare që përjeton adoleshencën në një periudhë kur tensionet shoqërore dhe pasiguria po rriten, ndërsa lufta në Kosovë po afrohet. Filmi ndërthur historinë e saj personale, miqësinë dhe procesin e rritjes me realitetin e një shoqërie të përfshirë nga tensionet e kohës.

Filmi është vepra më e re e Blerta Bashollit, e njohur ndërkombëtarisht edhe për “Zgjoi” (Hive). “DUA” ka marrë më herët çmimin SACD në seksionin Semaine de la Critique në Festivalin e Kanës 2026.

“DUA” do të shfaqet katër herë gjatë Zurich Film Festival: më 28 shtator në ora 17:45 në Kinokoni 6, më 29 shtator në ora 15:15 në Kinokoni 6, më 2 tetor në ora 18:00 në Kinokoni 3 dhe më 3 tetor në ora 20:30 në Kinokoni 6. Në dy shfaqjet e para do të jetë e pranishme edhe regjisorja Blerta Basholli.

Pas përfundimit të festivalit, “DUA” do të nisë shfaqjen në kinematë zvicerane më 15 tetor 2026, me distribucion nga Frenetic Films.

Zurich Film Festival, i themeluar në vitin 2005, është kthyer ndër vite në një prej ngjarjeve të rëndësishme të kinematografisë në hapësirën gjermanofolëse. Edicioni i 22-të do të vazhdojë deri më 4 tetor, me dhjetëra produksione, gara filmike, premiera dhe takime profesionale në Cyrih./Albinfo.ch

 

Foto: Gent Mersinaj

 

Foto: Gent Mersinaj

The post Zurich Film Festival vijon sonte me natën e dytë, në qendër edhe kinemaja shqiptare appeared first on Albinfo.


Burimi i lajmit: albinfo.ch
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.