Zviceranët drejt refuzimit të iniciativave për neutralitetin dhe sigurinë ushqimore

Votuesit zviceranë duket se po i refuzojnë bindshëm dy iniciativat federale që janë në votim këtë të diel, më 27 shtator: iniciativën për neutralitetin dhe atë për sigurinë ushqimore.
Sipas rezultateve dhe projeksioneve të publikuara gjatë ditës, iniciativa që synon ta përcaktojë më rreptësisht neutralitetin e Zvicrës në Kushtetutë po shkon drejt një refuzimi me më shumë se dy të tretat e votave. Rezultatet përfundimtare pritet të publikohen më vonë gjatë pasdites, transmeton albinfo.ch.
Iniciativa për neutralitetin kërkon që parimet e neutralitetit zviceran të përcaktohen në mënyrë më të detajuar në Kushtetutë. Një nga ndryshimet kryesore do të lidhej me masat ekonomike ndaj shteteve të përfshira në luftë. Në rast të miratimit, Zvicra do të kishte më pak hapësirë për vendosjen e pavarur të sanksioneve, përveç rasteve të parashikuara nga vendimet e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
Debati për neutralitetin është intensifikuar veçanërisht pas pushtimit rus të Ukrainës dhe vendimit të Zvicrës për t’iu bashkuar sanksioneve të Bashkimit Evropian ndaj Rusisë.
Politologu Lukas Golder nga instituti gfs.bern e interpretoi rezultatin e deritanishëm jo si refuzim të neutralitetit, por si mbështetje për një formë më fleksibile të tij, që u lë autoriteteve zvicerane hapësirë veprimi në politikën e jashtme.
Edhe iniciativa për sigurinë ushqimore drejt refuzimit
Edhe iniciativa e dytë kombëtare, që lidhet me sigurinë dhe prodhimin ushqimor, po përballet me kundërshtim të madh të votuesve.
Propozimi synon që vetë-mjaftueshmëria ushqimore e Zvicrës të rritet nga rreth 46% në të paktën 70%, ndërsa politikat bujqësore të nxisin më shumë prodhimin dhe konsumin e ushqimeve me bazë bimore. Iniciativa përfshin gjithashtu masa për mbrojtjen e burimeve të ujërave nëntokësore.
Edhe kjo iniciativë, sipas të dhënave të publikuara të dielën, po shkon drejt një refuzimi të thellë.
Para votimit, sondazhi i fundit i realizuar nga gfs.bern për transmetuesin publik zviceran tregonte se 63% e të anketuarve synonin të votonin kundër iniciativës për neutralitetin, ndërsa 34% ishin në favor. Për iniciativën e sigurisë ushqimore, 64% deklaroheshin kundër dhe 33% në favor.
Rezultatet përfundimtare të votimeve federale të 27 shtatorit pritet të bëhen të ditura gjatë pasdites.
The post Zviceranët drejt refuzimit të iniciativave për neutralitetin dhe sigurinë ushqimore appeared first on Albinfo.
Burimi i lajmit: albinfo.ch
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



