Zvicra drejt rekordit për naftën, 2.50 franga për litër

Çmimet e karburanteve në Zvicër po i afrohen niveleve rekord, deri në 2.50 franga për litër gjatë shtatorit. Për shkak të zhvillimeve gjeopolitike në Lindjen e Mesme, ndërprerjeve në punën e rafinerive dhe problemeve me transportin në lumin Rin, çmimet pritet të vazhdojnë të rriten, raporton albinfo.ch.
Aktualisht, çmimi mesatar i naftës për automjete në Zvicër sillet rreth 2.30 deri në 2.40 franga për litër, ndërsa në pikat e karburantit përgjatë autostradave janë regjistruar tashmë çmime deri në 2.50 franga.
Një kombinim faktorësh po rrit çmimet
Sipas raportimeve, disa faktorë janë duke ndikuar njëkohësisht në tregun e karburanteve.
Tre konflikte të njëkohshme në Lindjen e Mesme kanë krijuar pengesa të konsiderueshme për rrugët globale të transportit të naftës. Krahas kësaj, niveli i ulët i ujit në lumin Rin po vështirëson transportin e karburanteve drejt Zvicrës.
Situatën e ka përkeqësuar edhe ndërprerja e punës në rafinerinë e Cressier, një prej impianteve të rëndësishme për furnizimin me produkte të naftës në Zvicër.
Si rezultat, çmimi i naftës është rritur ndjeshëm krahasuar me fillimin e vitit. Aktualisht, nafta kushton rreth 52 centë më shumë për litër sesa në fillim të vitit.
Në disa pika, nafta kushton 2.50 franga
Në një pikë të BP-së në autostradën Kemptthal-Süd, mes Zürichut dhe Winterthurit, çmimi i naftës të hënën kishte arritur në 2.44 franga për litër, ndërsa sot 2.50 franga
Ndërkohë, çmimi i vajit për ngrohje sillet rreth 1.60 deri në 1.68 franga për litër, ose rreth 160 deri në 168 franga për 100 litra, në varësi të sasisë dhe kushteve të blerjes.
Me zhvillimet aktuale në tregjet ndërkombëtare të energjisë dhe problemet e furnizimit, drejtuesit e automjeteve në Zvicër po përballen kështu me një nga periudhat më të shtrenjta për furnizim me karburant që nga kriza energjetike pas fillimit të luftës në Ukrainë. /Albinfo.ch
The post Zvicra drejt rekordit për naftën, 2.50 franga për litër appeared first on Albinfo.
Burimi i lajmit: albinfo.ch
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



