Zvicra regjistron korrjen më të dobët të patateve në histori

Zvicra regjistron korrjen më të dobët të patateve në histori

Vapa dhe thatësira e verës kanë shkaktuar rënie rekord të prodhimit të patateve në Zvicër.

Rreth 333 mijë tonë patate janë korrur këtë vit në vend, pothuajse 20 për qind më pak se mesatarja e pesë viteve të fundit. Rendimenti prej 29.4 tonësh për hektar është më i ulëti në më shumë se 60 vjet, sipas Swisspatat, shoqata e industrisë zvicerane të patates.

Thatësira ka ndikuar ndjeshëm në prodhim, ndërsa ujitja ka bërë një ndryshim të madh. Në parcelat e ujitura artificialisht, rendimenti ishte mesatarisht 55 për qind më i lartë se në ato pa ujitje.

Për të garantuar furnizimin e tregut, Zvicra pritet të importojë rreth 130 mijë tonë patate. Si pasojë, shkalla e vetëfurnizimit mund të bjerë nga 85 për qind në rreth 70–75 për qind.

Industria siguron se nuk priten mungesa të patateve, por konsumatorët mund të vërejnë zhardhokë më të vegjël dhe, sipas ekspertëve, mundësi për rritje të çmimeve. Cilësia e prodhimit të këtij viti, megjithatë, vlerësohet si shumë e mirë.

Për të përballuar temperaturat e larta dhe thatësirat e ardhshme, industria po fokusohet në varietete më rezistente ndaj nxehtësisë, sëmundjeve dhe mungesës së ujit. Synimi është që deri në vitin 2040, këto varietete të përbëjnë rreth 80 për qind të prodhimit të patateve në Zvicër.

The post Zvicra regjistron korrjen më të dobët të patateve në histori appeared first on Albinfo.


Burimi i lajmit: albinfo.ch
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.