Zvicra rikthen kontrollet kufitare me sistemin EES nga 7 shtatori

Zvicra do të rikthejë nga e hëna, 7 shtator, përdorimin e plotë të Sistemit Evropian të Hyrje-Daljeve (EES), pas vendimit të Komisionit Evropian për të mos zgjatur pezullimin e përkohshëm të kontrolleve biometrike, transmeton albinfo.ch.
Sistemi EES, i cili ka nisur të përdoret më 10 prill, regjistron të dhëna si fotografinë e fytyrës dhe gjurmët e gishtërinjve të udhëtarëve që nuk posedojnë pasaportë zvicerane, të një vendi të Bashkimit Evropian apo të EFTA-s.
U pezullua përkohësisht gjatë sezonit të udhëtimeve
Gjatë periudhave me fluks të madh udhëtarësh, veçanërisht gjatë sezonit veror, autoritetet zvicerane kishin marrë leje nga Brukseli për të pezulluar përkohësisht mbledhjen e të dhënave biometrike.
Qëllimi ishte shmangia e pritjeve të gjata në kioskat e EES në aeroportet zvicerane. Gjatë kësaj periudhe, ishte rikthyer përkohësisht sistemi tradicional i vulosjes manuale të pasaportave.
Në korrik, Zvicra, së bashku me tetë shtete anëtare të BE-së, kërkoi që kjo masë lehtësuese të zgjatej edhe më tej.
Megjithatë, Komisioni Evropian e ka refuzuar kërkesën.
Çfarë ndryshon për udhëtarët?
Me rikthimin e sistemit EES, udhëtarët nga vendet jashtë Zvicrës, BE-së dhe EFTA-s do t’i nënshtrohen sërish regjistrimit elektronik të të dhënave biometrike gjatë kalimit të kufirit.
Kjo do të thotë se, në vend të vulosjes manuale të pasaportës, sistemi do të regjistrojë në mënyrë elektronike hyrjen dhe daljen e udhëtarëve.
Autoritetet zvicerane duhet tashmë të zbatojnë sërish procedurat e EES, duke nisur nga 7 shtatori. /Albinfo.ch
The post Zvicra rikthen kontrollet kufitare me sistemin EES nga 7 shtatori appeared first on Albinfo.
Burimi i lajmit: albinfo.ch
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



