Rexhep Rexhepi fiton çmimin më prestigjioz në botën e orëve në Gjenevë
Orëndreqësi i njohur me origjinë shqiptare, Rexhep Rexhepi, ka fituar çmimin më prestigjioz në industrinë botërore të orëve, “Aiguille d’Or”, në edicionin e 26-të të Grand Prix d’Horlogerie de Genève (GPHG), të mbajtur më 7 nëntor në Gjenevë, përcjell albinfo.ch.
Rexhepi u vlerësua për krijimin e tij “Chronograph Flyback”, një orë luksoze që dallohet për mekanizmin e avancuar, dizajnin elegant dhe mjeshtërinë e lartë artizanale. Ky çmim konsiderohet vlerësimi më i lartë në industrinë ndërkombëtare të orëndreqjes.
Në garën e këtij viti morën pjesë 84 krijime, ndërsa fituesit u përzgjodhën nga një juri ndërkombëtare ekspertësh. Krahas Rexhepit, çmime fituan edhe kompani të njohura si Chopard, Audemars Piguet, Blancpain dhe Patek Philippe, kjo e fundit me çmimin special të jurisë.
Rexhep Rexhepi, i cili jeton dhe punon në Gjenevë, është një nga emrat më të njohur të orëndreqjes së pavarur. Ai kishte fituar edhe më parë vlerësime të rëndësishme në këtë garë, në vitet 2018 dhe 2022, ndërsa çmimi i këtij viti shënon një tjetër sukses të rëndësishëm në karrierën e tij ndërkombëtare. /Albinfo.ch
The post Rexhep Rexhepi fiton çmimin më prestigjioz në botën e orëve në Gjenevë appeared first on Albinfo.
Burimi i lajmit: albinfo.ch
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.