“Vranjën e ke afër”, Shaqiri i përgjigjet Dimitrievskit, Dauti me shifra: Kujdes kur flet për shqiptarët!

  • Ndaje
“Vranjën e ke afër”, Shaqiri i përgjigjet Dimitrievskit, Dauti me shifra: Kujdes kur flet për shqiptarët!

Deklaratat e kryetarit të ZNAM-it, Maksim Dimitrievski, për shqiptarët dhe përdorimin e gjuhës shqipe në provimin e jurisprudencës kanë nxitur reagime të drejtpërdrejta nga përfaqësues politikë shqiptarë.

Rijad Shaqiri nga Aleanca për Shqiptarët dhe Ilire Dauti nga Lidhja Shqiptare kanë reaguar ndaj qëndrimeve të Dimitrievskit, i cili shqiptarët i cilësoi si “grup të vogël qytetarësh” dhe kundërshtoi mbajtjen e provimit të jurisprudencës edhe në gjuhën shqipe.

Shaqiri, duke iu përgjigjur deklaratave të kreut të ZNAM-it, theksoi se shqiptarët nuk janë mysafirë në këtë shtet, por popull shtetformues dhe pjesë përbërëse e tij. Ai nënvizoi se gjuha shqipe nuk është privilegj, por e drejtë që buron nga realiteti shoqëror dhe kushtetues i vendit.

“Ky shtet është edhe i shqiptarëve! Shqiptarët nuk janë mysafirë në këtë vend, por popull shtetformues dhe pjesë përbërëse e tij. Gjuha shqipe nuk është privilegj, as kërkesë për trajtim të veçantë. Është e drejtë që buron nga realiteti shoqëror dhe kushtetues i këtij shteti. Nëse nuk të pëlqen ky realitet, Vranjën e ke afër”, ka shkruar Shaqiri.

Ndërkaq, Ilire Dauti iu kundërpërgjigj cilësimit të shqiptarëve si “grup i vogël qytetarësh”, duke iu referuar të dhënave të regjistrimit të popullsisë. Sipas saj, shqiptarët përbëjnë mbi 29 për qind të popullsisë së vendit, ndërsa në raport me numrin e maqedonasve përbëjnë 54.4 për qind.

“Maksim Dimitrievski paska thënë për shqiptarët: ‘Një grup i vogël qytetarësh’. Tregoni Dimitrievskit se është duke folur për grupin që është sa 54.4% e numrit të maqedonasve. Pra, më shumë se gjysma e tyre. E tani ky ‘grup’ që përbën mbi 54% të numrit tuaj, vështirë se mund të quhet i vogël – përveçse në matematikën tuaj politike, që shihet se nuk ju ec. Në Qeveri ndaç rri, ndaç mos, veç kujdes kur flet për shqiptarët dhe gjuhën shqipe”, ka deklaruar Dauti.

Reagimet vijnë pas paralajmërimit të Dimitrievskit se ZNAM mund të largohet nga koalicioni qeveritar nëse pranohet që provimi i jurisprudencës të mbahet edhe në gjuhë tjetër përveç maqedonishtes.

Nga ZNAM-i kanë kërkuar që partnerët e koalicionit qeveritar të përcaktojnë qartë qëndrimet dhe vijat e tyre të kuqe lidhur me këtë çështje.

Ndërkohë, debati për përdorimin e gjuhës shqipe në provimin e jurisprudencës pritet të marrë një përgjigje institucionale në mbledhjen e ardhshme të Qeverisë. Sipas informacioneve të bëra publike, zgjidhja e propozuar parashikon që provimi të zhvillohet pjesërisht në gjuhën shqipe dhe pjesërisht në gjuhën maqedonase.


Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.