Mbi 10,500 derra asgjësohen në Zvicër për të frenuar përhapjen e një epidemie bakteriale

Mbi 10,500 derra asgjësohen në Zvicër për të frenuar përhapjen e një epidemie bakteriale

Mbi 10,500 derra janë asgjësuar në Zvicër pas shpërthimit të një sëmundjeje shumë ngjitëse të mushkërive, e cila ka prekur 60 ferma dhe njësi të mbarështimit në 14 kantone.

Shpërthimi i pneumonisë enzootike, një infeksion bakterial që prek derrat, u konstatua më 9 shtator në një rrjet të gjerë fermash të shpërndara në disa kantone, njoftoi të martën shërbimi veterinar i kantonit të Lucernës.

Autoritetet kanë urdhëruar asgjësimin e të gjitha kafshëve në 20 ferma në gjashtë kantone, me qëllim ndërprerjen e zinxhirit të transmetimit. Deri tani, në të gjithë Zvicrën janë asgjësuar rreth 10,500 kafshë.

Ndërkohë, masat kufizuese për lëvizjen e kafshëve mbeten në fuqi për 40 fermat e prekura të mbarështimit në 14 kantone.

Lucerna, kantoni më i prekur

Kantoni i Lucernës është goditur më rëndë nga shpërthimi. Autoritetet kanë zbrazur dhjetë ferma të mbarështimit dhe një fermë për rritjen e derrave, ku në total janë asgjësuar 5,200 kafshë.

Në kantonin e Bernës janë prekur tri ferma me gjithsej 1,700 derra.

Në kantonin Vaud, në një fermë janë asgjësuar 950 derra. Një fermë e dytë do të lejohet të përfundojë ciklin e mbarështimit përpara se t’i nënshtrohet masave të dezinfektimit dhe pastrimit sanitar.

Në mesin e 14 kantoneve të prekura janë edhe Neuchâtel dhe Valais, në Zvicrën frankofone.

Ndalohet transporti i kafshëve

Për secilën prej fermave të prekura, rreziku i përhapjes së sëmundjes po vlerësohet rast pas rasti. Veterinerët kantonalë po vizitojnë gjithashtu fermat fqinje për të monitoruar gjendjen shëndetësore të derrave.

Deri tani, nuk ka të dhëna se fermat jashtë zonës së prekur të mbarështimit të derrave mund të jenë infektuar.

Lëvizja e kafshëve mbetet e ndaluar derisa të përjashtohet prania e patogjenit ose derisa tufa të jetë pastruar plotësisht nga infeksioni.

Fermerët, kafshët e të cilëve asgjësohen me urdhër të autoriteteve, do të kompensohen financiarisht për humbjet e bagëtive.

Autoritetet u bëjnë thirrje fermerëve të derrave të tregohen të kujdesshëm dhe të zbatojnë në mënyrë rigoroze masat e biosigurisë.

Sëmundja ngjitëse e mushkërive që prek derrat nuk paraqet rrezik për njerëzit. Po ashtu, konsumimi i mishit të derrit nuk paraqet rrezik për shëndetin e njeriut.

The post Mbi 10,500 derra asgjësohen në Zvicër për të frenuar përhapjen e një epidemie bakteriale appeared first on Albinfo.


Burimi i lajmit: albinfo.ch
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.