Mexhiti për zgjedhjet në Bërvenicë, VLEN përkrah Jahijit

Bashkëkryetari i VLEN-it, Izet Mexhiti, sonte në emisionin “Debat në SHENJA” ka komentuar edhe rezultatin e raundit të parë të zgjedhjeve lokale në Bërvenicë.
Ai tha se VLEN-i do të analizojë rezultatin, duke theksuar se kandidimi për herë të parë i një kandidati nga fshati Tenovë ka sfiduar një traditë lokale, sipas së cilës kandidati duhej të vinte nga Çellopeku, fshati më i madh në komunë.
“E para është gara lokale. Rezultati është ai që është. VLEN-i bën analiza. Mendoj se në Bërvenicë thyem një tabu, që kandidati patjetër të jetë nga fshati më i madh, Çellopeku. Për herë të parë kemi dalë me një kandidat që është nga Tenova. Dhe u pa gjatë ditëve të zgjedhjeve që votuesit kanë votuar në bazë të lokalizmave. Ndoshta duhet kohë për t’i tejkaluar këto dallime dhe për të zgjedhur më të mirin. Ne për këto kemi paguar një çmim”, deklaroi Mexhiti.
Ai ka konfirmuar mbështetjen e këtij koalicioni për kandidatin e AKI-së, Arkin Jahiji, në zgjedhjet në Bërvenicë.
Mexhiti tha se VLEN-i e mbështet Jahijin, ndërsa theksoi se për të siguruar mbështetjen e plotë të votuesve shqiptarë, kandidati duhet të ndjekë shembullin e Haqim Ramadanit i cili garoi si kandidat i pavarur.
Sipas Mexhitit, kjo do të ishte një mënyrë për të siguruar përkrahje më të gjerë nga votuesit shqiptarë.
“Kandidati ynë shkoi i ofroi mbështetje dhe e mbështesim. Pra, VLEN e mbështet Arkin Jahijin në Bërvenicë”, deklaroi Mexhiti.(INA)
Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



