Vuçiqi ra, a bien edhe rrjetet e tij?
NGA: XHEVDET MAZREKAJ
Të dielën në mbrëmje, Aleksandar Vuçiqi bëri atë që shumëkush në Prishtinë nuk e besonte: pranoi humbjen. Sipas projeksioneve të para, Lista Studentore merr rreth 52 për qind të votave dhe shumicën në Kuvendin e Serbisë. Pas më shumë se një dekade, njeriu që e ktheu Kosovën në armën kryesore të politikës së tij po largohet nga skena qendrore e Beogradit.
Por pushteti i Vuçiqit nuk ishte vetëm në Beograd. Gjatë këtyre viteve, ai ndërtoi një sistem të tërë ndikimi jashtë Serbisë: në veri të Kosovës, në Uashington dhe në hapësirën politike e mediatike shqiptare. Pyetja që duhet bërë sot është e thjeshtë: çfarë ndodh me këto rrjete kur bie njeriu që i financoi dhe i mbrojti?
Paratë serbe në Uashington
Lobimi serb në Shtetet e Bashkuara nuk është teori konspirative. Është i regjistruar në bazën e të dhënave të Departamentit të Drejtësisë së SHBA-së për agjentët e huaj. Qeveria e Serbisë paguan kompaninë Valcour 65 mijë dollarë në muaj, KARV Communications rreth 60 mijë dollarë në muaj dhe, që nga shkurti i këtij viti, edhe CRB Global. Në këtë shifër nuk hyjnë kontratat e kompanive private serbe me firmat amerikane të lobimit.
Kosova ka qenë vazhdimisht në shënjestër të këtyre kontratave. Kur shpërtheu kanali Ibër-Lepenc, KARV u ofroi mediave amerikane deklaratën e Beogradit që mohonte çdo përfshirje të Serbisë. Ky është vetëm një shembull i një pune të përditshme që synonte ta paraqiste Kosovën si burim tensionesh dhe Serbinë si faktor stabiliteti.
Kontrata me Valcour skadon në nëntor. Do ta vendosë qeveria e re në Beograd nëse ky aparat do të vazhdojë. Kjo është hera e parë pas shumë vitesh që makineria e propagandës serbe në Uashington varet nga njerëz që nuk e kanë ndërtuar vetë.
Aleati i Vuçiqit në hapësirën shqiptare
Vuçiqi nuk kishte aleat më të çmuar në rajon se Edi Rama. “Ballkani i Hapur”, takimet e shpeshta dhe qëndrimet e përbashkëta kanë krijuar për vite me radhë një bosht politik Tiranë–Beograd, ku interesat e institucioneve të Kosovës shpesh mbetën në plan të dytë.
Në të njëjtën periudhë, një pjesë e madhe e mediave shqiptare ka mbajtur një linjë çuditërisht të njëtrajtshme kundër institucioneve të Kosovës, duke e paraqitur shtetin e ri si të paaftë për të funksionuar. Kjo linjë përputhej në mënyrë të habitshme me narrativën e Beogradit. Dhe nuk është sekret se shumë portale mbijetojnë pa lexues të mjaftueshëm dhe pa reklama që do t’i mbanin gjallë. Dikush ua paguan rrogat, por askush nuk e di se kush. Për sa kohë financimi i mediave mbetet i errët, pyetja se kush e ushqeu këtë linjë dhe me çfarë interesash do të mbetet pa përgjigje. Me rënien e Vuçiqit dhe me Ramën nën presionin e protestave, kjo pyetje bëhet edhe më e mprehtë.
Rama, me shumë gjasë, do të vazhdojë t’i mbështesë këto qarqe edhe për një kohë. Por pa partnerin në Beograd, boshti humb peshën dhe mbrojtjen që kishte.
Serbia e re nuk është domosdoshmërisht Serbi miqësore
Askush nuk duhet të ushqejë iluzione. Lista Studentore është një lëvizje me profile shumë të ndryshme politike. Disa prej tyre mund të mos duan t’i trashëgojnë rrjetet, kontratat dhe aleancat e Vuçiqit. Por zëra të tjerë brenda listës kanë kërkuar rishikimin e marrëveshjeve me Prishtinën nga pozicione edhe më të ashpra. Ilija Sërdanoviq, i cili udhëhoqi listën, ka thënë se qëndrimi i saj për Kosovën përcaktohet nga Kushtetuta e Serbisë.
Pra, rrjetet e Vuçiqit mund të bien, por kjo nuk garanton një Serbi më të mirë për Kosovën. Garanton vetëm një gjë: një periudhë pasigurie, ku fiton ai që lëviz i pari.
Boshllëku duhet mbushur nga Prishtina
Këtu qëndron detyra e Kosovës. Për vite me radhë, Serbia ka paguar miliona dollarë për ta treguar historinë e saj në Uashington. Kosova nuk mund të garojë me Beogradin në para, por mund të garojë me argumente, me aleanca dhe me besueshmëri. Një shtet që nuk e tregon vetë historinë e tij do ta humbasë betejën e narrativës sa herë që kundërshtari paguan më shumë.
Prishtina duhet ta shfrytëzojë këtë moment: të forcojë diplomacinë në Uashington, të rikthejë dialogun strategjik me aleatin e saj më të madh dhe të ndërtojë zërin e vet në mediat amerikane e evropiane, duke përfshirë edhe diasporën, që në Gjermani, në Zvicër dhe në Amerikë ka treguar se di të mobilizohet.
Vuçiqi ra. Rrjetet e tij janë ende aty, por për herë të parë pa zot. Nëse Kosova nuk e mbush këtë boshllëk, do ta mbushë dikush tjetër.
Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.