17 vjet Kushtetuta e Kosovës/ 17 vjet shkelje nga instancat më të larta
Sot 17 vjet, Kosova miratoi aktin më të lartë juridik, Kushtetutën e Republikës së Kosovës, e cila shënoi themelimin e shtetësisë së Kosovës dhe i dha fund administratës ndërkombëtare të vendit, e cila bazohej në Rezolutën 1244 të Kombeve të Bashkuara. Më 17 shkurt 2008, Kosova shpalli pavarësinë e saj dhe u regjistrua në hartat

Sot 17 vjet, Kosova miratoi aktin më të lartë juridik, Kushtetutën e Republikës së Kosovës, e cila shënoi themelimin e shtetësisë së Kosovës dhe i dha fund administratës ndërkombëtare të vendit, e cila bazohej në Rezolutën 1244 të Kombeve të Bashkuara.
Më 17 shkurt 2008, Kosova shpalli pavarësinë e saj dhe u regjistrua në hartat politike të shteteve të pavarura. Dy muaj pas shpalljes së Pavarësisë, Kuvendi i Kosovës ratifikoi Kushtetutën, e cila hyri në fuqi më 15 qershor 2008.
Kushtetuta e Kosovës, e ratifikuar më 9 prill 2008, është akti më i lartë juridik që garanton të drejtat dhe liritë themelore për të gjithë qytetarët e Kosovës. Pjesa më e madhe e këtij dokumenti rrjedh nga Plani i ish-presidentit Martti Ahtisaari, që ofron të drejta specifike për grupet minoritare dhe siguron një ambient më të sigurt për të gjithë qytetarët
Ish-nënkryetari i Kushtetueses: Vendimet e Gjykatës ndonjëherë nuk zbatohen nga qeveria
Ish-nënkryetari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu, në përvjetorin e Kushtetutës ka deklaruar se ajo respektohet në shumicën e rasteve, por ka ende raste kur nuk zbatohet, dhe mosrespektimi shpesh vjen nga autoritetet shtetërore.
‘’Kushtetuta e Republikës së Kosovës respektohet në shumicën e rasteve kemi edhe raste kur nuk respektohet dhe mos respektimi I Kushtetutës vjen nga autoritete e shtetit respektivisht qeveria’’, tha për FrontOnline Kryeziu.
Ai theksoi se ka disa vendime të Gjykatës Kushtetuese që nuk janë zbatuar ende, për shkak se Gjykata nuk ka mekanizëm të detyrueshëm për zbatimin e vendimeve të saj.
‘’Në përgjithësi respektohet janë disa vendime të gjykatës Kushtetuese të cilat deri më tani as nuk janë respektuar, arsyeja është se gjykata Kushtetuese nuk ka mekanizëm për zbatimin e vendimeve të veta por kjo është e sanksionuar me ligj, çdo vendim i gjykatës autoritetet e shtetit janë të detyruara ta zbatojnë nëse jo bëjnë shkelje ligjore’’, deklaroi ish-nënkryetari.
Hulumtuesi i IKD-së: Qeveria dhe Kuvendi kanë shkelur Kushtetutën në vitin 2024
Naim Jakaj, hulumtues i Institutit Kombëtar për Demokraci (IKD), ka denoncuar shkeljet e vazhdueshme të Kushtetutës së Kosovës nga Qeveria dhe Kuvendi gjatë vitit 2024.
Ai ka theksuar se shumë nga ligjet e miratuara nga këto institucione janë shpallur të papajtueshme me Kushtetutën nga Gjykata Kushtetuese.
Sipas Jakajt, këto shkelje kanë krijuar një klimë të pasigurisë ligjore dhe rrezikojnë balancën e pushtetit dhe funksionimin e shtetit të së drejtës.
‘’Gjatë vitit 2024, Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës kanë shkelur Kushtetutën, veçanërisht në miratimin e ligjeve për të cilat Gjykata Kushtetuese ka konstatuar që ato nuk janë në përputhje me parimet e ndarjes së pushteteve dhe formën e qeverisjes. GjK konstatoi disa herë se këto ligje bien ndesh me dispozitat kushtetuese, duke cenuar parimet themelore demokratike dhe duke shkaktuar kërcënim serioz për funksionimin e shtetit ligjor dhe demokratik’’, tha Jakaj për FrontOnline.
Një ndër shkeljet më të rëndësishme që Jakaj përmendi është miratimi i Ligjit për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikuar, i cili u shpall tërësisht jokushtetues nga Gjykata Kushtetuese.
‘’ Një ndër rastet është rrëzimi i Ligjit për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikuar, i cili është shpallur tërësisht jo kushtetues. Në aktgjykimin përkatës, Gjykata Kushtetuese ka vërtetuar pothuajse të gjitha gjetjet e ngritura nga IKD në raportin analitik me titull “Konfiskimi i pasurisë së pajustifikuar: çështje ligjore të Projektligjit aktual”, tha Jakaj.
Po ashtu, Jakaj përmendi Ligjin për Këshillin e Pavarur të Mbikëqyrjes së Shërbimit Civil të Kosovës (KPMShCK), i cili u shpall jo kushtetues në masën 90% nga Gjykata Kushtetuese.
‘’Ligji për Këshillin e Pavarur të Mbikëqyrjes së Shërbimit Civil të Kosovës (KPMShCK) është shpallur jo kushtetues në masën prej 90%. Edhe për këtë ligj, IKD kishte alarmuar për tendencat e politizimit, të dokumentuara në raportin “Tendenca për politizimin e KPMShCK’’, deklaroi Jakaj.
Gjithashtu, Jakaj ngriti shqetësimin për procedurat e miratimit të ligjeve, duke theksuar se një numër i madh ligjesh janë kontestuar për shkelje të rregullave parlamentare.
‘’Përveç përmbajtjes, një numër ligjesh janë kontestuar edhe për shkelje procedurale gjatë miratimit të tyre. Vetëm në seancën e 5 dhjetorit 2024, janë proceduar 16 ligje në Gjykatën Kushtetuese për shkelje të rregullave parlamentare. Janë kontestuar edhe Ligji për Zyrtarët Publikë dhe Ligji për Komisionin e Pavarur për Media, të cilët janë dërguar në Gjykatë nga opozita për shkak të mos marrjes parasysh të komenteve dhe vërejtjeve nga shoqëria civile, opozita dhe Bashkimi Evropian’’, potencoi hulumtuesi i IKD.
Avokati Jashari: Kushtetuta e Kosovës nuk po respektohet plotësisht
Avokati Arbër Jashari ka komentuar në përvjetorin e 17-të të Kushtetutës së Kosovës respektimin e saj.
Ai ka deklaruar se, megjithëse Kushtetuta ende nuk po respektohet plotësisht, ekziston një mekanizëm i fuqishëm për garantimin e respektimit të saj, siç është Gjykata Kushtetuese.
‘’Kushtetuta nuk është duke u respektuar në masën që ne do të dëshironim, ne kemi një gjykatë kushtetuese e cila është shumë funksionale dhe ka treguar që është gardian i vërtetë i Kushtetutës së Republikës së Kosovës ndaj gjithë atyre të cilët me ose pa vetëdije tentojnë që të shkelin apo të veprojnë kundër parimeve t cilat I ka Kushtetuta jonë’’, tha Jashari për FrontOnline.
Ai vuri në dukje se kjo gjykatë ka luajtur një rol të rëndësishëm në mbrojtjen e parimeve të Kushtetutës.
‘’Të tilla raste kemi pasur shumë gjatë qeverisjes katër vjeçare të këtij pushteti ku gjykata Kushtetuese ka konstatuar shkelje në disa nisma ligjore të cilat kanë konsideruar se mund të bien ndesh me liritë dhe të drejtat themelore te njeriut ose parimin e ndarjes së pushteteve’’, thotë avokati Jashari.
Jashari gjithashtu vlerësoi se, në aspektin territorial, Kushtetuta respektohet në shumicën e territorit të Kosovës.
‘’ Gjykuar në aspektin territorial mendoj që tashmë është ndërtuar një klimë me e favorshme sepse mund të themi që Kushtetuta në aspektin territorial respektohet pothuajse në gjithë shtetin e Kosovës por ka qenë ekzekutivi apo thjesht kuvendi I kaluar që me disa nisma ka mundur të cenojë Kushtetuese’’, deklaroi Jashari.
Sipas Jasharit, respektimi i Kushtetutës është një detyrim ligjor për të gjithë, dhe mekanizmat për mbrojtjen e saj janë në duar të Gjykatës Kushtetuese.
‘’Ka pasur nisma dhe ligje të cilat gjykata Kushtetuese I ka rrënuar, të gjitha masat dhe mekanizmat janë në Duart e gjykatës kushtetuese, natyrisht që obligimin për respektimin e kushtetutës përpos obligim ligjor është përtej asaj askush nuk duhet të ndërmarre veprime që bijnë ndesh as kryeministri as pozita as opozita e as qytetari’’, përfundoi Jashari.